Zbulohet arsenali i armëve, identifikohet dhe shpallet në kërkim një 49-vjeçar, pamjet kur policia futet në banesë (VIDEO)

Në kuadër të operacionit të koduar “Tracking”, policia ka zhvilluar një aksion në Fushë-Krujë, ku ka zbuluar një arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni luftarak, si dhe lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Sakaq, u shpall në kërkim një 49-vjeçar, i identifikuar me inicialet Y.Z. si poseduesi i tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 24 kallëpe tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti.

Ndërkohë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifkimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Njoftimi:

Krujë/Zhvillohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Tracking”.

Gjenden në fshatin Zall, Fushë Krujë, dhe sekuestrohen arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni luftarak, si dhe lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim poseduesi i tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kanë siguruar informacion për një ambient ku mbaheshin armë zjarri. Gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Zall, Fushë Krujë, afër banesës së shtetasit Y. Z., u gjetën në tokë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

-24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti;

-27 djegore;

-3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh;

-2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;

-6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;

-uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim shtetasi Y. Z., 49-vjeç, i cili nga hetimet e para dyshohet se është poseduesi i tyre.

Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.

Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifkimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

 


Shtuar 20.02.2026 13:46