Është përcjellë për në banesën e fundit aktori i mirënjohur Guljelm Radoja i cili dy ditë më parë humbi betejën me koronavirusin.
Ceremonia ka qenë shumë private dhe kjo pasi vetë aktori kishte lënë amanet për të mos zhvilluar një ceremoni zyrtare.
Megjithatë dhjetëra qytetarët, shokë, të afërm, miq mes tyre figura të shquara të skenës shqiptare kanë shkuar për ti dhënë lamtumirën e fundit aktorit. Regjisorja e Teatrit “Aleksandër Moisiu” Driada Dervishi tha se kjo është një ditë e trishtë pasi humbja e aktorit është një dhimbje e madhe për të gjithë.
“Është një dhimbje shumë e madhe që në radhë të parë u takon familjarëve, por zysh Lida me shumë modesti tha Guljelmi nuk ishte vetëm i imi ishte i gjithë Shqipërisë dhe unë besoj se kjo humbje është për të gjithë. Është një ditë shumë e trishtë. Ndoshta nuk do të na duket e pabesueshme kur të shohim gjithë pasurinë kulturore që ai na ka lënë dhe në këtë rats është i vetmi ngushëllim. Do të kemi të vetmin ngushëllim sa herë që të na mungoje”, tha ajo.
Gjatë përcjelljes nuk pati fjalime ceremoniale për të respektuar porosinë që kishte lënë. Artisti Radoja ka luajtur në të gjitha skenat teatrore në vend. Në kinematografi është angazhuar në shumë rreth 30 role, ku ndër më të rëndësishmit është ai i Petro Nini Luarasit te filmi “Kush vdes në këmbë” apo edhe te , “Gjurma”, “Mësonjëtorja”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Kolonel Bunker” etj. Ai ishte nderuar me titullin “Artist i Merituar”.