Demontimi i dy pikave të mëdha të kultivimit të marijuanës në banesa rezultoi në sekuestrimin e më shumë se 2100 bimëve marijuanë, me një prodhim prej njëqind kilogramësh, me vlerë 220,000 euro.
Policia përdori ndihmën e qytetarëve si një indicie për të filluar hetimet, kur në fillim të korrikut, në numrin e telefonit të Shërbimit të Qytetarëve të Gardës Civile (062) erdhi një telefonatë, ku një person raportonte se nga një shtëpi në Andosilla buronte “një zhurmë e çuditshme vazhdimisht”.
Pas mbikëqyrjes të shtëpisë, e cila në fillim paraqitej si e pabanuar, hetuesit vunë re se në disa pika të shtëpisë lëshohej ndriçimi brenda, si dhe dëgjohej zhurma që kishin denoncuar.
Agjentët verifikuan se shtëpia ishte e lidhur në mënyrë të paligjshme me rrjetin elektrik, gjë që tregonte për një aktivitet të mundshëm të paligjshëm brenda. Nga hetimet u zbulua se grupi kriminal përdorte një shtëpi të dytë në qytetin e Navarres, Cortes.
Në shtëpinë Andosilla, u gjetën pesë dhoma të dedikuara ekskluzivisht për mbjelljen dhe kultivimin e marijuanës, në faza të ndryshme të lulëzimit dhe u zbuluan 1224 bimë në gjendjen e tyre maksimale të rritjes. Në shtëpinë e Cortes u sekuestruan 878 bimë marijuanë në faza të ndryshme të lulëzimit si dhe një hanxhar i madh.
Në shtëpinë e Andosillës jetonte një person i ngarkuar me detyrat e ruajtjes, mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së plantacionit, i cili nuk dilte jashtë, jetonte keq në një shtrat të vendosur në kuzhinën ngjitur me frigoriferin dhe ushqimi merrej nga anëtarë të tjerë të grupit kriminal.
Grupi kishte marrë masa të forta sigurie për të ruajtur plantacionin me kamera video vëzhgimi, vëzhgim të përhershëm nga anëtarët e organizatës, ndër të tjera.
Ata i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej 53.000 eurosh vetëm me mashtrimin për energjinë elektrike. /albeu.com