Zbulohen 17 kandidatët për 6 shefa komisariati në Tiranë dhe rrethe (EMRAT)

Gara për emërimin e 6 shefave të Komisiaratit ka arritur në fazën finale. Një listë me të paktën 17 oficerë të Policisë, të cilët kanë marrë minimumi 70 pikë në procedurat paraprake, janë në tavolinën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.

Në garë janë vendet vakanta të Komisariatit nr.2 në Tiranë dhe Himarë, pas dorëheqjes së ish-drejtuesve, drejtuesi i komisariati i Cërrikut, pas daljes në pension të ish-shefit të tij, si edhe tre komisariate kufitare, ai i Rinasit, Dibrës dhe Sarandës, të cilët përfshihen për herë të parë në konkurs.

Mes emrave të kualifikuar është Idriz Daullja, i cili aktualisht, mban postin e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës.

Në listën e kandidatëve për shefa komisariati mbi 70 pikë është edhe kryekomisari Përparim Dema, i cili është prej disa vitesh në krye të Komisariatit të Rinasit.

Në listën e kandidatëve të kualifikuar spikat emri i oficerit Ferit Merkaj, i cili është me gradën më të ulët, nënkomisar.

Megjithëse ligji e lejon kandidimin për shef komisariati edhe të punonjësve me këtë gradë të ulët, gjithësesi një emërim i mundshëm i tij para oficerëve me gradë komisar e kryekomisar mund të krijonte një shije të hidhur në sistemin e karrierës në Policinë e Shtetit.

Thuajse në të njëjtën situatë është edhe oficeri tjetër i kualifikuar, Ermal Gjoka, i cili vetëm së fundmi ka kaluar nga nënkomisar në gradën e komisarit.

Ndërkohë, të kualifikuar për garën për 6 vende vakante, janë edhe disa oficerë, të cilët janë shpallur fitues edhe në procedura të mëparshme, por nuk kanë qenë në listën e emërimeve të kryepolicit Ilir Proda.

Në listën e kualifikuarve gjendet emri i komisar Elvid Shehu, i cili aktualisht është i komanduar në drejtimin e Komisariatit të Sarandës.

Shehu ka mbajtur postin e shefit të Postës së Pikës së Qafë Botës dhe u caktua përkohësisht në Sarandë, pasi ish-drejtuesi i mëparshëm, Elvis Dervishi, u shkarkua, në një vijim të një hetimi penal.

Kryekomisari Bledar Rreshka ka mbajtur postin e shefit të komisariatit nr.3 në Tiranë, deri në momentin kur, në tetor 2024, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë zhvilloi për herë të parë konkursin për emërimin e drejtuesve të komisariateve, bazuar në ligjin e ri. Rreshka u kualifikua edhe në atë konkurs, megjithatë nuk arriti të merrte emërimin.

Gjithashtu, tjetër emër që kualifikohet për herë të dytë në konkursin për shef komisariati është kryekomisar Oltjon Agolli, i cili ka mbajtur më herët detyrën e shefit të Komisariatit të Sarandës.

Komisare Edjona Dano, është e vetmja përfaqësuese e gjinisë femërore në listën e të kualifikuarve për pozicionin e Shefit të Komisariatit. Ajo punon aktualisht si Shefe e sektorit kundër dhunës në familje në drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Një tjetër emër që është shpallur fitues për herë të dytë në garën e hapur nga Drejtoria e Policisë është kryekomisari Artur Mersini.

Aktualisht, Mersini është specialist në Sektorin e Inspektimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Më parë ka mbajtur pozicionet e Shefit të Komisariatit në Has.

Kryekomisar Behar Gançi, gjithashtu në listën e të kualifikuarve, punon prej vitesh si ekspert në Policinë Shkencore.

Emrat e tjerë që janë kualifikuar për 6 vendet vakante për shef Komisariati janë edhe: Faik Ruko, Ermal Gjoka, Florian Dano, Kliton Zharri, Pllumb Kovacica, Ardjan Çela, Ermal Kenaçi, dhe Feliks Hoda.

Më poshtë është lista me 17 oficerët që kanë marrë se 70 pikë e më shumë në konkursin e shpallur nga Policia e Shtetit për plotësimin e 6 vendeve vakante si Shefa Komisariati:

1. Kryekomisar Idris Daulle – 74 pikë

2. Kryekomisar Përparim Dema – 73 pikë

3. Kryekomisar Faik Ruko – 72 pikë

4. Komisar Ermal Gjoka – 72 pikë

5. Komisar Elvid Shehu – 72 pikë

6. Kryekomisar Florian Dano – 72 pikë

7. Nënkomisar Ferit Merkaj – 71 pikë

8. Komisar Kliton Zharri – 71 pikë

9. Kryekomisar Artur Mersini – 70 pikë

10. Komisar Behar Gançi – 70 pikë

11. Kryekomisar Oltjon Agolli – 70 pikë

12. Kryekomisar Pllumb Kovacica – 70 pikë

13. Kryekomisar Bledar Rreshka – 70 pikë

14. Kryekomisar Ardjan Çela – 70 pikë

15. Nënkomisar Ermal Kenaçi – 70 pikë

16. Komisar Edjona Dano – 70 pikë

17. Komisar Feliks Hoda – 70 pikë
/ Boldnews.al


Shtuar 7.07.2025 11:59