Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni që do të zbardhë lidhjet e politikës me krimin. Kjo u bë e ditur nga deputeti demokrat Edi Paloka, i cili në një konferencë për mediat, tha se ai do të jetë Komisioni i së Vërtetës.
“Ju e dini tashmë që nga bisedat në Sky dhe Encrochat janë zbuluar lidhje të politikës me krimin dhe kjo është një nga çështjet më thelbësore.
Nga informacionet që kemi ne dalin deputetë dhe ministra të mazhorancës të lidhur me krimin. Ju garantoj se nga informacionet që kemi ne nuk ka deputetë të opozitës të lidhur me krimin.
Është përhapur një informacion i rreme në media për deputetë të opozitës, por ky informacion synon shantazhimin e deputetëve të opozitës”, tha Paloka.
Ai tha se Komisioni i së Vërtetës do të zbardhë për shqiptarët të gjitha lidhjet e politikës me krimin e organizuar.
Paloka po ashtu theksoi se Partia Demokratike do të vendosë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, që do të zhvillohet në orën 15:00, raportet që do të kenë me Kuvendin, pas burgosjes së ligjvënësit Ervin Salianji.
Ai tha se me përjashtim të tij dhe deputetes Jorida Tabaku, asnjë nga ligjvënësit e PD-së, nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Komisioneve.
“Vendimi do të merret në mbledhjen e grupit parlamentar, por sot në mbledhjen e Komisionit për Ccështjet Europiane, unë dhe deputetja Tabaku morëm pjesë dhe mbajtëm qëndrimin tonë përsa i takon procesit të integrimit. Ne nuk qëndruam, bëmë publik qëndrimin e opozitës dhe u larguam”, tha Tabaku.
I pyetur nëse opozita ka mbështetjen e opozitës lidhur me qëndrimet apo propozimet që ka, deputeti demokrat tha se nuk besonte se ka ndonjë ndërkombëtar që kundërshton luftën ndaj krimit.
Paloka tha se ajo që opozita propozon është lufta ndaj krimit dhe lidhjeve të tij me politikën dhe nuk besoj se ka diplomatë, përfshi edhe ata që paguhen nga Soros apo përfitojnë nga Qeveria, që të dalin dhe ta kundërshtojnë publikisht.