Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë për Saimir Tahirin

Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Lartë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Në vendim thuhet se ka shkelje proceduriale gjatë gjykimit të Saimir Tahirit dhe ish-drejtorit Jaeld Celës.

Sipas Gjykatës, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që s’mund të merrnin pjese në gjykim.

Pjesë nga vendimi:

Me caktimin e çështjes për shqyrtim, në datë 20.2.2020, gjyqtarja kryesuese A. Boksi, duke vlerësuar se kishte pengese ligjore dhe papajtueshmëri për shqyrtimin e saj (për shkak se ka qenë në përbërje të trupit gjykues që ka disponuar me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018 në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i pandehur në procedimin penal të lidhur nr. 134/2017, i cili është bashkuar nga prokuroria me procedimin penal nr. 1645/viti 2017, pjesë e të cilit është dhe i pandehuri Saimir Tahiri dhe është veçuar me pas në datë 22.9.2017) ka paraqitur kërkesë për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes.

Kërkesa e gjyqtares kryesuese Albana Boksi për dorëheqje është refuzuar nga Zv/kryetarja e gjykatës znj. Saida Dollani, ndërkaq, në datë 27.4.2020 i pandehuri Jaeld Çela ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtareve Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni per shkak të pjesmarrjes së tyre në shqyrtimin e kërkesave të palëve gjatë fazës së hetimeve paraprake në procedime të lidhura si dhe pjesmarrjen në gjykimin e themelit për këto çështje. Kjo kërkesë u shqyrtua nga Zv/Kryetarja e gjykatës znj. Saida Dollani, tashmë në cilësinë e gjyqtares, e cila me vendimin nr. 3, date 29.4.2020 ka vendosur shpalljen e papranueshme të kërkesës për përjashtimin e gjyqtarëve Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni.

Vendimmarrja e gjyqtares Saida Dollani në cilësinë e Zv/kryetares së gjykatës, kur ka refuzuar kërkesën e gjyqtares Albana Boksi për heqje dorë dhe në cilësinë e gjyqtares që shqyrton kërkesën për përjashtimin e gjyqtareve të paraqitur nga i pandehuri Jaeld Çela, ka shkaktuar shkeljen e të drejtës për një proces të rregullt ligjor në Gjykatën e Apelit, duke bërë që çështja që shqyrtohet nga gjyqtarët të ketë pasur pengesë ligjore në gjykimin e çështjes, të tilla që janë reflektuar bindshëm më tej në vendimmarrjen e tyre.

Pengesa ligjore e gjyqtares Albana Boksi në gjykimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela është pasi ajo gjyqtare ka shqyrtuar me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018 çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i pandehur në procedimin penal të lidhur nr. 134/2017, i cili është bashkuar nga prokuroria me procedimin penal nr. 1645/viti 2017, pjesë e të cilit është dhe i pandehuri Saimir Tahiri dhe është veçuar me pas në datë 22.9.2017.

Në atë gjykim i pandehuri Taulant Haxhiraj eshte deklaruar fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij dhe gjyqtarja ka shfaqur mendim mbi fakte dhe prova të cilat jane shqyrtuar prej saj edhe në çështjen në ngarkim të Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela veçanërisht, lidhur me kultivim të lëndëve narkotike, përgjimet e bisedave telefonike etj. Ndryshe nga sa ka argumentuar zv/kryetarja e gjykatës së posaçme të apelit në vendimin e saj për refuzimin e kërkesës për dorëheqje të gjyqtares Albana Boksi, rezulton se gjyqtarja Albana Boksi ka pasur njohje për aktet dhe provat e atij procedimi, pasi një pjese e tyre janë shqyrtuar dhe vlerësuar në gjykimin që i përket vendimit nr. 69, datë 19.9.2018 të kësaj gjykate, në çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj.

Vetë gjyqtarja Albana Boksi e ka vlerësuar se ka pengesë ligjore për shqyrtimin e çështjes, për rrjedhojë ka paraqitur kërkesë për heqje dorë nga shqyrtimi i kësaj çështje. Vendimi nr. 16, datë 26.6.2020 i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është reflektuar dukshëm njëanshmëria dhe qëndrimi i gjyqtares në lidhje me këto akte dhe prova. Mjafton të përmendim qëndrimin e kësaj gjykate jo vetëm në tejkalim të shkaqeve të ankimit, por edhe të kompetencave të Gjykatës së Apelit dhe gjykatës në përgjithësi, në faqen 25, paragrafi I dytë i vendimit ku është shprehur se : “Kontradiktor vlerësohet nga ky kolegj edhe qëndrimi i prokurorisë, që 8 nga njëra anë akuzon të pandehurit Saimir Tahiri e Jaeld Çela si pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, e nga ana tjetër ndonëse referon vijimin e aktivitetit të këtij grupi edhe në vitet 2016 e 2017, thekson se nuk ju ka atribuuar ndonjë akuzë në lidhje me kultivimin e narkotikëve. Në lidhje me këto fakte, në vëmendje të këtij kolegji të gjykatës së posaçme të apelit është edhe parashikimi i pikës ‘6’ të nenit 28 të Kodit Penal, që përcakton shprehimisht se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, janë përgjegjës për të gjitha veprat penale të kryera prej tyre në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë kriminale. (vendim ky i shkruar nga gjyqtarja Albana Boksi, si gjyqtare kryesuese).

Po kështu dhe gjyqtarja Nertina Kosova (pasi gjyqtarja Nure Dreni nuk ka marrë pjesë në dhenien e vendimit) ka pasur pengesë ligjore për shqyrtimin e çështjes pasi ka marrë pjesë në trupin gjykues që ka shqyrtuar çështjen për zevendim mase sigurimi ne ngarkim të të pandehurit Meridian Sulaj, në kuadër të procedimit penal nr.134/2016, procedim i ndarë veçmas, por që për efekt të fakteve dhe akteve konsiderohet i lidhur me procedimin nr. 164/2017 në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. Papajtueshmëria e këtyre gjyqtarëve, në kuptim te neneve 15/2, 17/1, gërma “c” të KPP (veçanërisht e gjyqtares Albana Boksi) në shqyrtimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, e bën të cënueshëm vendimin nr. 16, datë 26.6.2020, si një vendim absolutisht të pavlefshëm ne kuptim të nenit 128/1, gërma “a” të KPP, pasi ka cënuar të drejtën e të pandehurve për tu gjykuar nga një gjykatë e paanshme, për rrjedhojë, sjell prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.

Vendimi është marrë në shkelje procedurale të lidhura me kufijtë e shqyrtimit të çështjes në apel, pasi gjykata ka interpretuar në mënyrë të gabuar rastet e prishjes dhe kthimit të akteve gjykatës së shkallës së parë nga gjykata e apelit, sipas nenit 428/1, gërma “ç” të KPP, konkretisht në lidhje me “mosrespektimin e dispozitave që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale”. Ndryshe nga sa ka interpretuar gjykata e apelit, rasti për të cilin KPP lejon prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë nuk mund të lidhet kurrsesi me cilësimin e saktë ligjor të fakteve dhe akuzën e ngritur nga prokurori, por, lidhet vetëm me rastet kur rezulton se nuk janë respektuar dispozitat në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori, si psh rastet kur prokurori në gjykim ka pasur papajtueshmëri, për të cilat nuk mund të ndiqte procesin, etj.

Kjo rezulton qart nga vetë formulimi i dispozitës, e cila në lidhje me këtë rast parashikon: “… kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen… me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim”, fjali e cila duke përmbajtur lidhëzën “dhe” tregon qartë se dispozita bën fjalë për problem procedural të ushtrimit të ndjekjes penale për shkak të prokurorit që ka marrë pjesë në procedim apo zhvillimit të gjykimit në shkallë të parë pa pjesmarrjen e tij. Në vendimin e saj gjykata e apelit nuk ka treguar se cilat dispozita procedurale nuk janë respektuar nga prokuroria në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesmarrjen e prokurorit në gjykim, por në kundërshtim me ligjin ka referuar tek mungesa e cilësimit të saktë juridik të fakteve nga prokuroria dhe aplikimi nenit 28/6 i KP, referim i cili tregon një akuzë të re, të pangritur nga prokuroria dhe që nuk mund të përmendet nga një gjykatë themeli, aq më pak nga gjykata e apelit./albeu.com


Shtuar 9.11.2021 11:18