Zbardhet skema e abuzimit në bashkinë e Fierit, zyrtarët nuk arkëtuan në buxhet 40 milionë lekë

Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me skemën abuzive të zyrtarëve vendorë të bashkisë Fier, që çoi edhe në nisje të hetimeve për ta.

Prokuroria dhe Policia në kuadër të operacionit të koduar “Parking” ekzekutuan disa masa sigurie. Konkretisht, për ish zv.kryetaren e bashkisë Fier, Adela Hysenaj dhe Anisa Cjapi, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore u  ekzekutua masa “arrest shtëpie”.

Ndërsa për Martin Dodi, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier dhe Vasil Ceku Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier u ekzekutua masa e pezullimit nga detyra.

Sipas hetimeve të Policisë dhe Prokurorisë së Fierit, abuzimi kishte në thelb dy forma të organizuara të shpërdorimit të detyrës:

Mosfiskalizimi i parkimit nëntokësor

Zyrtarë të Bashkisë Fier, përfshirë ish-zv/kryetaren dhe ish-drejtoreshën e Taksave Adela Hysenaj si dhe drejtorë të nivelit të lartë në Tatime, nuk zbatuan detyrimin ligjor për të pajisur me kasë fiskale shërbimin e parkimit nëntokësor që administrohej nga Bashkia.

Kjo shmangie sistematike bëri që të mos arkëtohej në buxhetin lokal shuma prej rreth 40 milionë lekësh, e cila duhet të ishte siguruar nga përdoruesit e këtij shërbimi. Pagesat për parkimin, megjithëse të mbledhura, nuk kalonin në rrugë zyrtare dhe nuk regjistroheshin në sistemin tatimor.

Ulje e qëllimshme e taksave për biznese të caktuara

Në një tjetër element të skemës, zyrtarë të Bashkisë Fier, nëpërmjet manipulimit të vlerësimeve fiskale dhe tarifore, ulnin në mënyrë të pajustifikuar taksat për subjekte të caktuara private. Këto lëshime të favorshme dyshohet se janë bërë kundrejt përfitimeve personale, duke u dhënë avantazh të padrejtë disa bizneseve në treg.

Zyrtaret vendore te akuzuar me mase sigurie

Adela Hysenaj – ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier

Anisa Cjapi – Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore

Martin Dodi – sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier

Vasil Ceku – Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier.

 


Shtuar 24.07.2025 09:34