Prej muajit Korrik, emigrantët shqiptarë në Itali do të përfitojnë nga zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar midis vendit tonë dhe shtetit italian mbi njohjen e kontributeve të pensionit.
Në Fletoren Zyrtare është botuar marrëveshja në fushën e sigurimeve shoqërore, tashmë e ratifikuar përfundimisht nga të dyja palët. Kjo marrëveshje është nënshkruar që në shkurt të këtij viti, midis ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe atij të Italisë.
Pas miratimit nga Kuvendet respektive, tashmë kjo marrëveshje do të bëhet realitet dhe do të zbatohet për pensionet e pleqërisë, invaliditetit, atë familjar, si dhe për sigurimin nga sëmundjet, barrëlindja dhe papunësia. Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, emigrantët shqiptarë që janë në prag pensioni mund të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali.
Rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, por edhe shtetas italianë që janë të vendosur prej vitesh në Shqipëri, pritet të përfitojnë nga njohja reciproke e pensioneve. Ky dakordësim bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet.
“Bashkimi i periudhave Për qëllimet e fitimit, ruajtjes ose rikuperimit të së drejtës për përfitime në para, të parashikuara nga kjo Marrëveshje, periudhat e sigurimit ose ato të barasvlershme me to, të plotësuara sipas legjislacionit të njërit shtet kontraktues, bashkohen, nëse është e nevojshme, me periudhat e sigurimit ose ato të barasvlershme me to, sipas ligjeve të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që ato të mos mbivendosen”, parashikohet në ligjin e sapobotuar në Fletoren Zyrtare.
Më konkretisht, një person që ka 10 vite pune në Shqipëri dhe 15 vite pune në Itali, mund të përfitojë një pension në Shqipëri dhe një pension në Itali për ato 15 vite që mund të ketë derdhur kontribute atje.
Qeveria italiane ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh për zbatimin e njohjes së pensioneve deri në vitin 2032. Ndërkohë, pritet që Shqipëria të finalizojë një marrëveshje të njëjtë edhe me shumë shtete të tjera ku ka prani të emigrantëve shqiptarë.
Sipas një vlerësimi paraprak, në vijim të nënshkrimit të marrëveshjes, numri i përfituesve në Itali dhe detyrimet e pensioneve që rrjedhin nga mundësia e përmbushjes së kushteve të legjislacionit në fuqi, por edhe nëpërmjet bashkimit të periudhave, do të fillojë me rreth 4 mijë pensione në vit, e për të vijuar në rritje vit pas viti. Një nga përfitimet kryesore është bashkimi i periudhave kontributive: Periudhat e sigurimit (vullnetar dhe të detyrueshëm) të plotësuara sipas legjislacionit të secilit shtet grumbullohen dhe bashkohen me periudhat e sigurimit (vullnetar dhe të detyrueshëm) të plotësuara sipas legjislacionit të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që ato të mos mbivendosen dhe sipas dispozitave te parashikuara nga legjislacioni i secilit shtet.
Periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të njërit shtet kontraktues, bashkohen, nëse është e nevojshme, me periudhat e sigurimit sipas ligjeve të shtetit tjetër kontraktues. Të dhënat që disponojnë institucionet shqiptare, flasin për rreth 500 mijë shtetas shqiptarë me qëndrim të rregullt në Itali dhe që derdhin kontributet shoqërore. Nga marrëveshja nuk do të përfitojnë jo vetëm përfituesit e pensionit të pleqërisë, por edhe ata invaliditetit. Gjithashtu do t’u njohën vitet e punës edhe invalidëve apo ata që kanë marrë leje si pasojë e sëmundjeve apo lindjeve.
“Numri mund të jetë edhe më i madh. Ne llogarisim deri në 700 mijë shqiptarë. Por shifra mund të vijë edhe duke u ulur pasi shumë emigrantë po marrin nënshtetësinë italiane”, – thonë ekspertët.
Marrëveshja e firmosur dhe hyrë në fuqi tashmë mbi njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore zbatohet për të gjithë të punësuarit, për familjarët e tyre dhe të gjithë ata individë që mund të kërkojnë periudha sigurimi në Itali apo në Shqipëri, pavarësisht nga shtetësia. Ambasadorja shqiptare në Itali ka deklaruar më herët se negociatat nuk kanë qenë të thjeshta, por komplekse.
“Nuk ka qenë një negociatë e thjeshtë, ka qenë komplekse. Statistikat duheshin parë me lupë herë pas here. Flukset janë të lëvizshme, sepse lëvizshmëria, mobiliteti i dy ekonomive, i dy kulturave, i dy tregtive mes dy vendeve por edhe i komuniteteve nuk lehtëson gjithmonë punën, pra e bën herë pas here likuide dhe duhet të ndalesh, t’i shikosh hap pas hapi, kutiçkë pas kutiçke sipas statistikave. Natyrisht, pas mbi 30 vitesh punë, bashkëjetesë, jetesë, studimi të shqiptarëve në Itali, kishte ardhur momenti për t’u njohur të drejtën e ligjshme të pensionimit”, u shpreh Ambasadorja shqiptare në Itali, Anila Bitri në konferencën me gazetarët shqiptarë pas firmosjes së marrëveshjes në Romë.