Policia e Tiranës, ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në “Zonën e Treshit”, ku 27-vjeçari R. Ç, mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë.
Sipas burimeve policore, konflikti ka nisur për shkak të një borxhi të pashlyer.
Në vijim të hetimeve, janë arrestuar tre persona: B. N., 47-vjeç, A. L., 42-vjeç, dhe I. K., 51-vjeç. Njëri tjetër, me inicialet S. N., 35-vjeç, është shpallur në kërkim.
Tre të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Vrasje me dashje në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërsa një prej tyre akuzohet edhe për “Moskallëzim krimi”.
Gjatë ngjarjes, gjatë një konflikti të çastit dhe për motive të dobëta, shtetasit B. N., A. L. dhe S. N. plagosën R. Ç., i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. Një person tjetër, G. Sh., 42- vjeç, u dëmtua lehtë me sende të forta.
Policia ka sekuestruar një automjet dhe sende të tjera të kundërligjshme, që dyshohet janë përdorur nga autorët për të ikur nga vendi i ngjarjes.
Puna për kapjen e personit në kërkim dhe gjetjen e armës vazhdon nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme ligjore.