Atentate mafioze dhe trafik droge/ Goditet grupi i Inez Hajrullës, kush janë 8 personat për të cilët SPAK lëshoi urdhërarreste. Në pranga shefi i policisë dhe një ish-efektiv

SPAK ka kërkuar arrestimin e tetë personave në kuadër të një hetimi për një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për vrasje dhe trafik ndërkombëtar droge.

Në listën e personave për të cilët është kërkuar masa e arrestit janë:

Inez Hajrulla, Ervis Matodashaj, Mendu Duka, Arben Memishaj dhe Argest Xhezani, të cilët janë në kërkim.

Ndërkohë, Flodian Plaku rezulton i ekzekutuar në burg, Rezart Kuçi është arrestuar më herët nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa Hamëz Demushi është arrestuar në Zvicër.

Sipas burimeve pranë organit hetues, grupi kriminal vepronte në disa vende të Europës dhe ishte i përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës.

Në faza të ndryshme të operacioneve janë sekuestruar rreth 700 kilogramë kokainë në Roterdam, 500 kilogramë në Maqedonia e Veriut, si dhe disa qindra kilogramë të tjerë në Greqi, në Hamburg të Gjermani dhe në Belgjikë.

Hetimet tregojnë se droga nisej nga Ekuador dhe kishte si destinacion kryesisht tregjet e Europës Perëndimore, veçanërisht Holandë dhe Belgjikë.

Në dosjen hetimore përmendet edhe përfshirja e disa punonjësve policie, të cilët dyshohet se ndihmonin grupin kriminal. Ata siguronin informacione për rivalët e grupit dhe për persona që konsideroheshin si objektiva për t’u eliminuar.


Shtuar 7.03.2026 16:16

Tags: ,