Zbardhet dëshmia e Florenc Çapjas në GJKKO: S’më keni ekstraduar, erdha vetë, Nuredin Dumanin s’e njoh fare

Gjykata e Posaçme, ka lënë në burg të shumëkërkuarin e drejtësisë, Florenc Çapjan, i cili u ekstradua më 2 maj nga Dubai drejt Tiranës, për llogari të autoriteteve shqiptare.

Çapja u la në masën “arrest në burg” për veprën penale “sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim në dëm të Sokol Sanxhaktarit.

“Më thoni pse e keni lënë dosjen pa asnjë veprim hetimor dhe më keni dënuar vetëm me dëshminë e Ervis Bardhit”, u është drejtuar Florenc Çapja prokurorit të SPAK që po heton dosjen e tij.

Ai ka mohuar që të ketë aplikacionin e koduar Sky Ecc, duke u shprehur: “Ku e ke Sky? Unë skam pas asnjëherë”.

Përpara togave të zeza, Çapja i cili ishte në arrati prej 7 vitesh, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen ku është tentuar vrasja e Sokol Sanxhaktarit, duke i kërkuar prokurorisë të gjejë prova për të vërtetuar akuzën e ngritur ndaj tij.

Gjithashtu, iu drejtua togave të zeza: “Pse e shisni sikur më keni ekstraduar. Nuk më ekstraduan, erdha vetë, isha i lirë në Stamboll dhe mund të ikja”.

Përveç ekspozimit të tij në dosjen “Plumbi i Artë”, Florenc Çapja, është dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë për vrasjen e Gentjan dhe Nezir Beqirit, ngjarje e shënuar në 2012 në Elbasan.

Ai po ashtu, akuzohet edhe për vrasjen e oficerit Fadil Mema në vitin 2006.

Gjykata e Elbasanit, pushoi çështjen ndaj tij me argumentin se nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje, vendim që u la në fuqi edhe nga gjykata e Durrësit.

Vendimit iu bë rekurs nga prokuroria në Gjykatën e Lartë, teksa me vendim të shkallës së tretë të gjyqësorit kjo çështje është rikthyer sërish për rigjykim në Elbasan.


Shtuar 5.05.2025 11:57