Zbardhet arsyeja e arrestimeve në Sarandë

Një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës, ka qenë shkaku i 11 urdhër arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës ditën e djeshme.

Hoteli në fjalë, rezulton në pronësi të ish-Drejtorit të ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati.

Sipas burimeve, Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por e kishte rrënuar të gjithin duke e ndërtuar pa leje nga fillimi e duke shtuar më shume kate se sa ekzistuesi.

Pas kësaj ai ka arritur ta legalizojë objektin pa leje, hotel i cili është vendosur dhe funksionon si i tillë prej rreth 2 vitesh.

Të gjitha këto veprime kanë ndodhur, pasi ai e kishte lënë detyrën e drejtuesit të ALUIZNI Sarandë dhe ishte emëruar në një detyrë tjetër drejtuese.

Prokuroria e Sarandës, në kuadër të procedimit penal nr. 37 të vitit 2024, regjistruar për veprën penale “shpërdorim i detyrës” dhe “ndërtim i paligjshëm” parashikuar përkatësisht nga nenet 248 dhe 199/a të Kodit Penal, ka kërkuar dje ndalimin e 11 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve.

Nga operacioni policor janë arritur të kapen vetëm 8 prej tyre, konkretisht Ermen Stroka, me detyrë Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë, Erald Lika, me detyrë Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë, Ina Papa, me detyrë specialiste në Drejtorinë vendore të DVASHK Sarandë, Viktor Qesari, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë, Tonin Simoni, me detyrë ish inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë, Oltion Durmishi, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë, Denis Balili, me detyrë ish specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë, Manushaqe Saliko, me detyrë ish-specialiste/inspektore në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë.

3 personat e shpallur në kërkim janë Mariel Murati, pronar i hotelit e njëkohësisht ish-Drejtor i ALUIZNI Sarandë, aktualisht drejtor i FSDKSH Sarandë, Kozeta Statha, ish-Drejtore e ASHK Sarandë dhe Andri Dhima, ish-Drejtor i ASHK Sarandë.

Nga 11 personat për te cilët është lëshuar urdhër arresti, Dhima, Statha dhe Balili rezultojnë me masa sigurimi aktive edhe për çështje të tjera penale.

Mësohet se në qeli aktualisht ndodhen vetëm 6 prej të arrestuarve, pasi Ina Papa dhe Manushaqe Saliko janë lënë mbrëmë vonë të lira, në masë të lehtë sigurimi për shkak se rezultojnë nëna të reja me fëmijë të mitur.

Hoteli i Mariel Muratit ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura.


Shtuar 14.03.2024 11:22