Në dosjen hetimore të AKSHI-t, dokumentohet me pamje takimet e Ergys Agasit me Ermal Beqirin dhe drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, të cilët akuzohen nga SPAK se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Pamjet janë regjistruar nga Ergys Agasi me kamerën e instaluar në zyrën e tij, e cila ishte e lidhur edhe me celularin.
Në dosjen hetimore të AKSHI-t janë dhjetëra takime.
Në një bisedë biznesmeni Ermal Beqiri, i drejtohet Ergys Agasit duke i thënë se: “Informacioni është gjë shumë më e madhe sesa numrat”.
Agasi i përgjigjet me habi “Ue”.
Në një tjetër moment Ermal Beqiri i thotë: Ça me i bo atit…
Ergys Agasi i përgjigjet: Nuk e diskutoj fare o burrë, tashi jemi goxha shumë shumë lart.
Takimet dhe bisedat në zyrë mes Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe Mirlinda Karçanajt.
Këto biseda janë bërë në vitin 2023
Në një tjetër episod ku e pranishme është edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi thotë: E ka bërë gati kallëzimin penal për Nardin se e ka nxjerrë sekretin….Edhe filloi pastaj e poa situatën si shkoi, filloi pastaj, jo po Nardi kshu…filloi tu shpjegu.
Pas kësaj bisede, drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj largohet.
Nga pamjet filmike të regjistruara rezulton se këto biseda janë bërë në 16 mars 2024 në orën 20:05 të mbrëmjes.
Takimet dhe bisedat në zyrë mes Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe Mirlinda Karçanajt.
Vendimi i GJKKO:
Kujtojmë që Gjykata e Posaçme vendosi të enjten vazhdimin e masave të sigurimit personal “arrest shtëpie” për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoren Hava Delibashi.
Për tre biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta, mbeti gjithashtu në fuqi masa e “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.
Ndërkohë, zv.drejtorit për hetimin e krimit në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili iu hoq masa e ndalimit për të dalë vendit, por mbeti në fuqi masa e pezullimit nga detyra.
Për dy të pandehurit e tjerë, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj, të akuzuar për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale, seanca e verifikimit do të kryhet kur të mundësohet ndalimi i tyre.
Sipas SPAK, të hetuarit kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, është një prej institucioneve më sensitive në vend, pasi menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshi dhe ministren me Inteligjencë Artificiale, ndërsa kryen rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme në lëshimin e qindra dokumenteve.
Agjencia ka qenë herë pas herë nën kritika për mënyrën e menaxhimit dhe tenderat sekretë, të justifikuar me siguri kombëtare, por skema e hetuar nga SPAK zbulon se kjo agjenci dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdor ndër të tjera pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tenderat dhe para publike.
Ndërkohë që hetimet e SPAK zbulojnë një skemë abuzimi me paratë publike, po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cënimin e sigurisë kombëtare.
