Ditën e sotme, janë zbardhur të tjera detaje në lidhje me atentatin e një nate më parë në Sarandë (4 tetor), ku nga shpërthimi me eksploziv në makinë mbeti i vdekur 58-vjeçari Isuf Jaçaj, person me precedent penal.
Ndërsa djali i tij ndodhet në burg për një plagosje të dyfishtë, dy muaj më parë.
Mësohet se krimi mund të jetë kryer nga dy persona, ndërsa policia deri tani ka shoqëruar 10 persona dhe janë marrë në pyetje banorë të lagjes 3 në Sarandë.
Viktima, me precedent penal
Viktima, e njohur edhe me nofkën “Bushi”, kishte një të kaluar të ngarkuar penale, me episode të dhunshme që datojnë që para viteve 2000. Në qershor të vitit 2010, Jacaj mbeti i plagosur pas një konflikti me sende të forta në lagjen nr. 4, ndërsa në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri, po në Sarandë. Në korrik 2022, u përfshi në një tjetër përplasje, ku u arrestua me një përforcues grushti, ndërkohë që një tjetër person u kap me armë zjarri.
Në vitet e fundit, Jacaj ishte angazhuar në sektorin e turizmit, duke transportuar turistë me skafin e tij në zonat bregdetare përreth Sarandës.
Pista kryesore e hetimit, hakmarrje për djalin
Një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes, në lidhje me ngjarjen e 17 korrikut 2025, ku djali i viktimës, Klaus Jacaj, 31 vjeç, aktualisht i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit”, dyshohet se ka qenë i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale. Në atë ngjarje, Ramadan Zoto plagosi me armë zjarri dy persona, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Vetëm pak ditë pas asaj ngjarjeje, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi lëndë plasëse në automjetin e Klaus Jacajt, duke e shkatërruar plotësisht. Rasti mbetet ende i pazbardhur dhe autorët nuk janë identifikuar.
Sarandë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.