Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e Massimo Ferro, biznesmenit italian 54-vjeçar, i cili humbi jetën në Tiranë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut.
Sipas mediave të huaja, pas ndërhyrjes në klinikën private “Trita Hospital”, ai ka shfaqur komplikacione dhe është dërguar në QSUT.
Këtu sipas informacioneve, antibiotiku është administruar me vonesë, pavarësisht përkeqësimit të dukshëm të gjendjes shëndetësore.
Biznesmeni italian ishte dërguar në urgjencën e QSUT pasi kishte shfaqur temperaturë të lartë, vështirësi në frymëmarrje dhe shenja të një infeksioni të rëndë.
Sipas raportimeve të mediave italiane dhe deklarimeve të familjes, ndërhyrja me antibiotik ka ndodhur vetëm në orët e mbrëmjes, ç`ka ka ngritur dyshime për mënyrën e trajtimit mjekësor dhe menaxhimin e rastit.
Familjarët kanë denoncuar gjithashtu, mungesën e informacionit të qartë mbi gjendjen reale të Ferro-s dhe shkaqet e vdekjes së tij.
“Askush nuk na shpjegoi pse Massimo nuk u kthye më në shtëpi”, citojnë për mediat italiane të afërmit e viktimës, të cilët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, mëngjesin e 22 dhjetorit 2025, Massimo Ferro pësoi një arrest kardiocirkulator brenda klinikës private “Trita Hospital” ku ishte shtruar pas ndërhyrjes.
Ai u reanimua dhe u transportua në terapi intensive në QSUT. Familjarëve u ishte komunikuar fillimisht se gjendja e tij ishte “e qëndrueshme”, por në mbrëmje bashkëshortja u thirr me urgjencë dhe u informua se biznesmeni kishte ndërruar jetë prej disa orësh.
Massimo Ferro, sipërmarrës nga Camposampiero, në provincën e Padovës, kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për të kryer një gastrektomi, pas vitesh përpjekjesh të pasuksesshme për të luftuar obezitetin.
Ai ishte drejtuar fillimisht te një klinikë private në Milano, e cila i kishte propozuar kryerjen e ndërhyrjes në Tiranë, në një strukturë të lidhur me atë italiane, për shkak të kostos më të ulët: rreth 4.400 euro, krahasuar me afërsisht 15.000 euro në Itali.
Mediat italiane, raportojnë se kontakti i parë me kirurgun është kryer përmes WhatsApp-it, ndërsa analizat para-operative që nuk ishin realizuar në Itali, janë kryer vetëm një ditë para operacionit në Tiranë.
Ndërhyrja kirurgjikale u krye më 18 dhjetor, ndërsa Ferro kishte mbërritur në Tiranë një ditë më parë, i shoqëruar nga bashkëshortja.
Pas operacionit, gjendja e tij u përkeqësua që nga dita pasuese, me përgjumje të theksuar, reagim të dobët dhe rritje të nivelit të glicemisë.
Më 20 dhjetor u shfaqën ethet, ndërsa më 21 dhjetor situata u rëndua më tej, duke çuar në ndërhyrjen e shërbimeve spitalore.
Për këtë çështje, Prokuroria e Padovës, ka hapur një hetim dhe ka regjistruar si të dyshuar dy profesionistë të përfshirë në rrugëtimin mjekësor të biznesmenit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të zbardhur plotësisht shkaqet e vdekjes së Massimo Ferro.
