Detaje të reja janë mësuar lidhur me ndalimin e oficerit të Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili u arrestua në kuadër të një operacioni të gjerë të realizuar nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Sipas burimeve për mediat, në momentin e ekzekutimit të urdhrit, Haxhiaj ndodhej në ambientet e Akademisë së Policisë, ku ishte i angazhuar në një kurs tre-mujor specializimi për Antiterrorin.
Igli Haxhiaj akuzohet për disa vepra penale, nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre ndërsa dyshohet se gjatë periudhës që ka kryer veprat penale, të ketë qenë pjesë e skuadrës së Operacionales.
Kujtojmë se një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar në Itali, Shqipëri, Angli dhe Francë.
Gjykata e Breshias ka lëshuar në total 24 masa sigurie, 10 nga të cilat janë ekzekutuar në Breshia.
Ndërkohë, me urdhër të SPAK në Tiranë është arrestuar oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili dyshohet se kishte lidhje me klanet shqiptare të trafikut të drogës.

