Zbardhen detaje nga arratisja e Altin Ndocit, pasi doli nga spitali në parking e priste Audi A7

Mesditën e sotme, është arratisur nga spitali i Durrësit, Altin Ndoci, i arrestuar nga SPAK dhe që njihet si person i rrezikshëm në botën e krimit.

Detaje të reja zbulohen lidhur me arratisjen e të burgosurit Altin Ndoci. Ai ka qenë i shtruar në spitalin e Infektivit, në spitalin rajonal të Durrësit prej dy ditësh.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të identifikuar se kush e ndihmoi të arratiset.

Mësohet se ai ka dalë nga spitali në këmbë i veshur me xhup të zi. Pasi ka dalë nga spitali është larguar drejt rrugës së Maternitetit ku është dhe parking i madh.

Tre kamerat e sigurisë në oborrin e spitalit rajonal të Durrësit e kanë pikasur, duke dalë nga shkallët e infektivit në drejtim të parkingut.

Kamera nga maternieti i Durrësit, ka arritur të fokusojë momentin kur Altin Ndoci, është larguar me një makinë AUDI A7 i Bardhë me targa AA 700 RS e cila e priste tek parkingu.

Policia ka ngritur postblloqe në të gjithë qytetin e Durrësit.

Arratisja e Ndocit, një person me rrezikshmëri të lartë vë në pikëpyetje sigurinë jo vetëm të burgjeve, por edhe të institucioneve të zbatimit të ligjeve që janë një zinxhir i institucionesh për ruajtjen e personave të paraburgosur e sidomos ato të rrezikshmërisë së lartë shoqërore, sikurse konsiderohet Altin Ndoci./Syri Tv


Shtuar 13.01.2026 15:25