Zbardhen detaje nga aksioni në Pukë, dy persona të armatosur të fshehur prej një muaji në banesë

Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i policisë në fshatin Orosh, pjesë e njësisë administrative Qafë Mali në bashkinë Fushë-Arrëz, ku është rrethuar një banesë e braktisur prej kohësh.

Mësohet se banesa i përket gjyshit të një prej personave të kërkuar nga policia.

Sipas informacioneve të para, Policia e Pukës, ka kërkuar edhe mbështetjen e forcave speciale RENEA, pasi dyshohet se brenda banesës ndodhen 2 persona të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.

Mësohet se policia ka kërkuar që personat të dorëzohen.

Burime bëjnë me dije se banesa ndodhet në afërsi të shkollës së Oroshit, e rrethuar prej mëngjesit të sotëm.

Për shkak të largësisë së zonës dhe mungesës së valëve telefonike, informacionet mbeten të kufizuara, ndërsa forcat e rendit po vijojnë kontrollet me kujdes të shtuar.

Nuk ka ende detaje zyrtare mbi identitetin e personave të dyshuar apo rrethanat që kanë çuar në nisjen e operacionit.


Shtuar 24.11.2025 14:55