Arrestimi në Tiranë në muajin Janar të vitit 2021 i Julian Gjoshit, kunatit të Altin Hajrit, i shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës në ambientet e kompleksit “Golden” në Shijak, ka mobilizuar Hajrin që të kërkojë ndihmë tek zyrtari i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.
Mes Jurgis Çyrbes dhe Altin Hajrit, ka një mori bisedash në aplikacionin “Sky”, ku Hajri kërkon që Çyrbja ta ndihmojë me qëllim lirimin e kunatit, pasi siç i shkruan ai në “Sky”, “…e mytën kalamajt, daja…”.
Në mesazhet e dërguara del dhe ndihma që ka dhënë një personazh i quajtur “Ols”, i cili dyshohet se është funksionar i Drejtësisë, mik i Jurgis Çyrbes, por pa dalë se kush është konkretisht.
Julian Gjoshi, ishte arrestuar në mbrëmjen e 18 Janarit 2021 për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”, si dhe “Drejtim mjetit në gjendje të dehur”. Bashkë me të ishte në makinë dhe një person tjetër, i quajtur Edvin Barçi i thirrur me nofkën “Boli”.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka siguruar një foto të pistoletës “Bereta” që policia e sekuestroi në makinën e Julian Gjoshit mbrëmjen e 18 janarit në Tiranë.
Julian Gjoshi, qëndroi vetëm 11 muaj në paraburgim dhe më pas doli në 23 dhjetor 2021, vetëm 7 ditë para Vitit të Ri.
Por teksa Gjoshi, mbahej i arrestuar në ambientet e Policisë së Tiranës dhe pritej të dilte para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, kunati i tij bisedon në aplikacionin “Sky” duke e njoftuar për arrestimin e kunatit.
Altin Hajri i shkruan në “Sky” Jurgis Çyrbes si më poshtë vijon:
“…kan kap kunotin tim me pistoletë… Mos bëjmë naj gjë. Është kunati me gjith atë “bolin” që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një dali nji, shif naj “arrest shpia”. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën (Pistoletën)…”.