Zaev telefonon kryeministrin bullgar, cilat ishin pikat kyçe të diskutimeve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Bullgarisë, Kirill Petkov, pas zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

Zaev ka uruar Petkov për zgjedhjen e tij si kryeministër i Bullgarisë dhe të dy janë pajtuar që të vazhdojnë punën për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për zhbllokimin e procedurës, për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“E përgëzova kolegun tim Kirill Petkov për zgjedhjen e tij si kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Bullgarisë. Në një bisedë telefonike me kryeministrin Petkov, i kam uruar mandat të suksesshëm dhe realizim të të gjitha prioriteteve të përcaktuara në programin e Qeverisë së tij, në dobi dhe prosperitet të shtetit bullgar dhe qytetarëve bullgarë”, ka shkruar Zaev në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Zaev thekson se në bisedë është shprehur gadishmëria për përshpejtimin e komunikimit dhe bashkëpunimit përmes disa grupeve të punës në sferën e ekonomisë, kulturës, shëndetësisë, energjetikës, infrastrukturës dhe fusha të tjera me interes për qytetarët maqedonas dhe bullgarë.

“U dakorduam të vazhdojmë të punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për zhbllokimin e procedurës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE dhe për një stimul të ri pozitiv për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, ka shkruar Zaev në Facebook./albeu.com/