Ish-ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, ka nisur një kapitull të ri profesional, por këtë herë në sektorin privat, atë të energjisë. Ajo është emëruar në një rol të lartë drejtues në ExxonMobil, kompania më e madhe amerikane në fushën e naftës dhe gazit, si dhe një nga korporatat më të fuqishme në rang global.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar postin e Kim, duke u shprehur se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, kanë lidhje me interesa korruptive, në dy termocentralet lundruese të ExxonMobil në gjirin e Vlorës.
Sipas Balliut, Kim ka ndihmuar kompaninë të sigurojë kontratën për ndërtimin e këtyre termocentraleve, të cilatnuk punojnë dhe ndotin ambientin.
Ai e quajti këtë marrëveshje një “pakt korruptimi” mes Yuri Kim dhe Ballukut, duke hedhur akuza, se ky akt ka dëmtuar interesat e Shqipërisë dhe marrëdhëniet me SHBA-të.
DEKLARATA:
Ish-Ambasadorja Yuri Kim, ka provuar edhe njëherë se, gjatë kohës në detyrë në Shqipëri, ka përfaqësuar interesat vetjake, financiare dhe korruptive dhe jo ato të taksapaguesve amerikanë dhe aleatit strategjik të kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke shkelur me të dyja këmbët etikën diplomatike dhe standardet e profesionale ajo ka pranuar një post ekzekutiv si shpërblim nga një kompani, të cilën e ka ndihmuar të sigurojë një kontratë me qeverinë shqiptare.
Exxon Mobil, falë Yuri Kim ka parkuar në gjirin e Vlorës dy termocentrale lundruese, të cilat nuk punojnë dhe as prodhojnë energji; e kundërta: ndotin detin dhe brigjet përreth.
Ajo që Yuri Kim quante asokohe ‘memorandum mirëkuptimi’ ishte një ‘pakt korruptimi’ mes saj dhe ‘Bukrës së Korrupsionit’, rekordmenes së ‘kilometrit 24 milion euro’, Belinda Balluku.
Yuri Kim tradhëtoi kështu, jo vetëm vendin e saj, por edhe interesat e qytetarëve shqiptarë, taksat e të cilëve paguan për dy dinosaurë industrialë të ardhur nga Azia.
Tigri 1 dhe Tigri 3 janë “dhurata” që Yuri Kim i bëri Shqipërisë. Nëpërmjet tyre ajo siguroi një vend pune pas pensionit dhe, me siguri, një bakshish të majmë.
Kjo ishte vetëm një nga pagesat që mori nga qeveria Rama për luftën e saj të paprinciptë kundër Partisë Demokratike, liderit të saj Berisha, dhe opozitës në tërësi.
Shprehja e saj famëkeqe “do të hani bar” drejtuar demokratëve, është sot kujtesa e dëmit jo vetëm financiar, por edhe moral e electoral që diplomatë të tillë i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë Shqipërisë.
Partia Demokratike, thekson partneritetin dhe miqësinë e pacënueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me administratën e Presidentit Trump, dhe shpreh mirënjohjen për Sekretarin Rubio që e pastroi Departamentin e Shtetit nga të korruptuarit si Kim.
Sot demokratët mund të qeshin me atë që po ha barin e hidhur të turpit.