Xhixho: Konferenca e Rektorëve duhet dëgjuar dhe ligji i ri i shkencës, duhet ndaluar urgjentisht të avancojë në proçesin parlamentar

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka denoncuar sërish projektin qeveritar për ligjin e ri të shekncës.

“Konferenca e Rektorëve duhet dëgjuar dhe ligji i ri i shkencës duhet ndaluar urgjentisht të avancojë në proçesin parlamentar!

Në mbështetje të Konferencës së Rektorëve, të cilët kundërshtojnë projektligjin e ri për kërkimin shkencor.
Duke e cilësuar tërërsisht të drejtë shqetësimin e tyre për ndryshimin e draftit, në mungesë të plotë transparence dhe me arrogancën shpërfillëse që e karakterizon këtë maxhorancë, shpreh dakordësinë e plotë me qëndrimin kundër këtij projektligji që shkel autonominë universitare dhe e bën shkencën monopol të qeverisë.

Por si në çdo konsultim sa për procedurë që bën kjo qeveri me grupet e interesit, edhe në këtë rast nuk ka marrë parasysh opinionet e botës akademike dhe nuk i ka reflektuar në draftin final.

Në letrën e rektorëve të institucioneve të arsimit të lartë, publike dhe private në vend, dërguar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, thuhet:

“Për këtë projektligj është punuar së bashku me përfaqësues të Konferencës së Rektorëve dhe për projektet e rishikuara, mbi bazën e komenteve te dërguara nga ana jone, ka patur reflektime të herëpashershme.

Me shqetësim konstatojmë se projektligji që ju keni në shqyrtim, është një variant shumë më
ndryshe nga ai që është konsultuar me ne, duke ju rikthyer thuajse, variantit te parë të projektit fillestar, i kundërshtuar nga Konferenca e Rektorëve.

Në këto kushte do të kërkonim pezullimin e procedurave të miratimit të projektligjit dhe të pranoni në fillim të javës që vjen, komentet që do t’Ju dërgojë Konferenca e Rektorëve”shprehet në letrën dërguar Kuvendit, kryetari i konferencës së rektorëve, Prof.Dr Artan Hoxha.

Manovrat e qeverisë me këtë draft nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të kaluar me nxitim një ligj që kërkon që shkencën ta drejtojë Edi Rama.

Në seancën dëgjimore të së hënës duhet dëgjuar zeri i botës akademike, pasi zëri i tyre është shumë më i fuqishëm se kjo qeveri që ka 11 vjet nuk financon dhe nuk mbështet kërkimin shkencor në Universitetet e vendit”, shkruan Xhixho.


Shtuar 13.10.2024 13:35