Vuçiç reagon për djegien e flamujve serbë në Tiranë: Përdhosja e simboleve, e papranueshme

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar për djegien e famujve të Serbisë në sheshin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Në një intervistë për RTS, ndërsa ka folur për marrëveshjet e rëndësishme që do të firmosen sot në kuadër të nismës “Open Balkan” ka thënë se përdhosja e simboleve kombëtare është e papranueshme.

“E di që shumica janë të interesuar se çfarë do të them për djegien e flamujve, por në mënyrë racionale duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nuk do të hyjmë në arsyet e tyre të brendshme partiake, por sigurisht që është e papranueshme përdhosja e simboleve dhe mendoj se Shqipëria ka reaguar me shpejtësi, seriozitet dhe përgjegjësi”, tha Vuçiç.

Edhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, ka reaguar në lidhje me protestën e organizuar një ditë më parë në Tiranë kundër vizitës së Vuçiç.

Ajo tha se disa politikanë në rajon ende nuk mund të shihnin një të ardhme tjetër dhe se politika e tyre e vetme është konflikt dhe jo bashkëpunim.

Ajo thotë se ka folur me Vuçiç dhe ai nuk është mërzitur për këtë incident. “Kam biseduar me presidentin dhe gjithçka është në rregull. Ai nuk është mërzitur. Kemi biseduar edhe për gjëra të tjera. Ai thotë se gjithçka është mirë dhe nuk është mërzitur”, tha ajo duke shtuar se këto protesta janë përkrahur dhe nga disa qarqe të ndryshme në Beograd./albeu.com

 


Shtuar 21.12.2021 08:51