Vuçiç jep zyrtarisht dorëheqjen nga drejtimi i partisë, kush pritet ta pasojë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Gjatë mbledhjes partiake, të mbajtur në Kragujevc më 27 maj, Vuçiq e propozoi ministrin e Brendshëm të Serbisë, Millosh Vuçeviq, në postin e kryetarit të kësaj partie.

Vuçeviq është po ashtu zyrtar i lartë i kësaj partie.

Ai pritet që të zgjidhet në krye të SNS-së gjatë të shtunës, teksa mbledhja partiake po vazhdon.

“Milloshi është një zyrtar i përkushtuar ndaj SNS-së dhe ndaj idesë për një Serbi të pavarur dhe prosperuese”, tha Vuçiq gjatë fjalimit.

Vuçiq më herët kishte njoftuar se do të largohej nga drejtimi i partisë. Ai po ashtu njoftoi se duke nisur nga 28 maji do të nisë formimin e një lëvizjeje të re. Por, ai shtoi se do të vazhdojë të qëndrojë në partinë SNS.

Siç e shpjegoi, lëvizja që ai mëton të krijojë do të jetë më e gjerë se SNS-ja, sepse qëllimi i tij është që personat që nuk janë pjesë e partisë, të marrin pjesë në këtë lëvizje. Ai nuk specifikoi se kush do të ftohet që të bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje.

Gjatë fjalimit në mbledhjen partiake, Vuçiq po ashtu foli për situatën në Kosovë, të cilën e quajti të vështirë.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, që të hynin në zyrat e tyre në veri të Kosovës.

Ky vendim u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë, të cilët u përleshën me zyrtarët policorë.

Po ashtu, shtetet perëndimore dënuan veprimet e Kosovës dhe thanë se hyrja e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale, ishte “hyrje me forcë”.

Pas rritjes së tensioneve në veri, më 27 maj Serbia ngriti në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të saj të armatosura.

“Synimi i shteteve në Perëndim është që të dalin me një deklaratë kundër tyre [autoriteteve në Kosovë] për të na kënaqur ne, por me çfarë të jemi të kënaqur, me realitetin e ri, që është në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe normat ndërkombëtare. Rezistenca e popullit serb në Kosovë do të jetë më e fortë, shpresoj përmes mjeteve paqësore”, tha Vuçiq.

Vuçiq, së bashku me ish-presidentin serb, Tomisllav Nikoliq, janë ndër themeluesit e SNS-së. Para formimit të kësaj partie, ata kishin qenë zyrtarë të lartë të partisë së krahut të djathtë, Partisë Radikale Serbe, që udhëhiqej nga Vojsllav Sheshel, i dënuar për krime lufte nga Gjykata në Hagë.

Në maj të vitit 2012, Vuçiq ishte zgjedhur në krye të SNS-së, në vitin kur kjo parti erdhi në pushtet. Opozita dhe një pjesë e publikut e ka kritikuar atë se ka mbajtur dy postet njëkohësisht, atë të presidentit të shtetit dhe kreut të SNS-së, duke argumentuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën serbe.

Megjithatë, kjo çështje nuk është dërguar asnjëherë për vlerësim te Gjykata Kushtetuese e Serbisë. /REL


Shtuar 27.05.2023 14:26