Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar haptazi vendet e rajonit dhe disa organizata ndërkombëtare, duke përfshirë USAID dhe National Endowment for Democracy (NED), për mbështetje dhe nxitje të protestave kundër qeverisë së tij.
Në një intervistë për DRM News, Vuçiq pretendon se protestat që shpërthyen në Serbi nuk janë thjesht shprehje e pakënaqësisë qytetare, por kanë pasur përkrahje të jashtme, përfshirë veprime të koordinuara nga shërbimet sekrete rajonale dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
“Sigurisht që kishte shumë njerëz që dolën në rrugë dhe ata u mbështetën shumë nga vendet rajonale, shërbimet sekrete rajonale, çka nuk është ndonjë sekret i madh. Po ashtu kishte shumë organizata dhe institucione nga jashtë që i mbështesnin ato,” tha Vuçiq.
Ai përmendi konkretisht se Kroacia ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive, duke ofruar mbrojtje për individë të dyshuar për krime të rënda dhe duke përdorur mediat e tyre për të ndikuar në opinionin publik në përputhje me udhëzimet e shërbimeve sekrete. Sipas Vuçiqit, situata ka qenë e ngjashme edhe në Prishtinë, Tiranë dhe qendra të tjera rajonale.
“USAID, NED dhe të tjerët gjithashtu ishin të përfshirë,” shtoi ai, duke theksuar se disa individë që dolën në rrugë kanë marrë trajnime dhe mbështetje financiare nga këto organizata, jo nga opozita lokale, por për të mësuar se si të veprojnë kundër qeverisë dhe si të organizojnë protesta.
Vuçiq pranoi se Serbia përballet edhe me sfida të brendshme dhe pakënaqësi qytetare, por sipas tij, aktorët e jashtëm po përdorin këto probleme për të nxitur destabilitet dhe trazira.
