Vuante nga sëmundja e rëndë, shuhet në moshën 51-vjeçare shkrimtarja e njohur italiane

Italia mban zi për romancieren, dramaturgun dhe gazetaren Michela Murgia, e cila ka vdekur në moshën 51-vjeçare pas një beteje me kancerin.

Shkrimtarja nga Sardenja ka qenë e hapur për shumë çështje, duke përfshirë eutanazinë dhe të drejtat e komunitetit LGBTI+.

Michela Murgia, e cila në vitin 2010 fitoi një nga çmimet më të rëndësishme letrare italiane, Premio Campiello, njoftoi në maj, në një intervistë për gazetën Corriere della Sera, se kishte kancer në veshka të fazës së katërt.

Në të njëjtën intervistë, ajo tha se dëshira e saj ishte të vdiste kur kryeministrja Georgia Meloni të mos ishte më në krye të qeverisë, duke thënë se ajo e konsideron qeverinë e saj “fashiste”.

Në atë kohë, Meloni ishte përgjigjur se edhe ajo shpresonte që Michela Murgia do të jetonte aq sa për të parë një kryeministër tjetër.

E lindur në vitin 1972 në qytetin Campras të Sardenjës, ajo bëri debutimin e saj letrar në vitin 2006 me romanin “Il Mondo Deve Sapere” (Bota duhet të dijë), një satirë mbi shfrytëzimin e qendrës telefonike të telemarketingut, e cila u shndërrua në një shfaqje me të njëjtin titull, ndërsa mbi të u bazua skenari i filmit të vitit 2008 “Tutta la Vita Davanti” (E gjithë jeta përpara).

Romani i saj i vitit 2009 “Accabadora” fitoi çmime, duke përfshirë Campiello dhe Çmimin Ndërkombëtar Letrar Mondello. Muajin e kaluar Michela Murgia u martua me aktorin dhe regjisorin Lorenzo Terenci./Albeu.com/


Shtuar 12.08.2023 21:18