Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me episodin e radhëstë podcastit “Flasim”, ku foli edhe në lidhje me procesin integrues të vendit.
Ai u shpreh momenti i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian do të jetë momenti kur ai do të jetë i gëzuar pa kushte.
“Vuaj nga pakënaqësia. Ata që më njohin nga afër e dinë shumë mirë këtë gjë. Ata që më shikojnë nga larg nuk e besojnë fare këtë që po them. Në distancë perceptimi që unë lë është shumë ndryshe nga çfarë unë jam në të vërtetë. Nëse në distancë unë dukem si dikush që mendon se i di të gjitha, në fakt unë vuaj nga pakënaqësia”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Kryeministri u shpreh se lufton shumë për bindjet e tij, por ndërkohë ka farkëtuar edhe mekanizmin e rikonsiderimit të situatave.
“Jam shumë i vështirë në debat se mbroj me shumë forcë bindjet e mia. Por jam shumë i hapur për të kuptuar se çfarë mund të bëj më mirë edhe për të kuptuar se ku mbase tjetri e ka mirë dhe unë gabim. Por nuk e tregoj. E kam pasur gjithmonë këtë, kam qenë gjithmonë i pathyeshëm në kokëfortësinë për të nxjerrë timen. Por sa më shumë ka kaluar koha, aq më shumë ka kaluar në një mekanizëm të rikonsiderimit të gjërave që kanë ndodhur”, tha ai.
