Vrau Pjerin Xhuvanin, Arbër Paplekaj kërkon lirimin me kusht

Arbër Paplekaj, ish-oficer i forcave RENEA, i dënuar me 7 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, i është drejtuar Gjykatës së Durrësit me një kërkesë për lirim me kusht.

Përmes avokatit të tij, Paplekaj pretendon se plotëson të gjitha kushtet ligjore për këtë kërkesë: ka vuajtur tre të katërtat e dënimit, nuk ka shkelje disiplinore gjatë qëndrimit në burg dhe përmend gjithashtu gjendjen familjare si rrethanë lehtësuese.

Megjithatë, seanca gjyqësore e planifikuar për këtë të martë u shty, pasi Paplekaj nuk u shoqërua në sallën e gjyqit nga policia e burgjeve. Gjyqtari Rexhepi Bekteshi vendosi që shqyrtimi i kërkesës të mbahet më 16 korrik.

Fillimisht, Paplekaj ishte dënuar me 22 vite burg nga Gjykata e Elbasanit për “vrasje në rrethana cilësuese”, por Apeli e rikualifikoi akuzën në “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, duke e ulur dënimin përfundimtar në 7 vite.

Ngjarja ndodhi më 21 prill 2021, kur mbështetës të Partisë Demokratike, pjesë e një strukture të vetëshpallur për mbrojtjen e votës, ndaluan në Elbasan një automjet pa targa të drejtuar nga Mehmet Greca (i njohur si Met Dafllaku), të cilin e akuzuan për përfshirje në blerje votash në favor të PS.

Në ndihmë të Grecës mbërritën Pjerin Xhuvani, dhëndri i tij dhe disa persona të tjerë, disa prej të cilëve me të shkuar kriminale. Gjatë përplasjes, shpërtheu një shkëmbim zjarri ku mbeti i vrarë Xhuvani dhe u plagos një oficere policie.

Sipas hetimeve, ishte Arbër Paplekaj ai që qëlloi për vdekje Xhuvanin. Në vendngjarje u përdorën edhe dy armë të tjera zjarri, por prokuroria nuk ka arritur të identifikojë autorët që i përdorën ato. Në kohën e ngjarjes, aty ishin të pranishëm edhe dy zëvendësdrejtorë të Policisë së Elbasanit si dhe zyrtarë të tjerë.


Shtuar 17.06.2025 15:23