Ish-shefi i Komisariatit të Himarës, Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçare në Himarë, ka mbërritur sot në gjykatë ku do të njihet me masën e sigurisë. Seanca në Gjykatën e Vlorës do të drejtohet nga gjyqtare Viola Canaj, ndërsa prokuror Eranda Lazaj.
Prokuroria e Vlorës pritet të ashpërsojë akuzën që do të rëndojë ndaj Arjan Tases. Fillimisht AMP ngriti akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” gjë që mund të dënohet edhe me gjobë, ndërsa prokuroria pritet që mbi Tasen të ngrejë akuzën e “vrasjes me dashje”.
Si ndodhi ngjarja?
Më 2 gusht, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, Arjan Tase, duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, ka goditur vajzën e mitur e cila po lahej në bregdet. Vogëlushja, për shkak të plagëve të rënda ka ndërruar jetë menjëherë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur para syve të qindra pushuesve, të cilët janë tronditur nga ajo që kanë parë.
Familja e viktimës, me mbiemër Avdia, kishte nga ardhur nga Anglia për të kaluar pushimet në Shqipëri, ndërsa me origjinë ishte nga Tropoja. Pushuesit, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes, u shprehën se mjeti është afruar në breg dhe ka bërë një manovër kthimi indietro dhe në këtë moment helika ka goditur fëmijën, ndërsa drejtuesi nuk ka qenë aspak i vëmendshëm për të shmangur atë.