Vrau me bastun shokun e tij të dhomës në azil, vdes në spital Zyhdi Shehi

Ka ndërruar jetë historiani Zyhdi Shehi, i cili më 8 gusht dhunoi për vdekje shokun e tij, Virxhil Veshon, në dhomën e azilit në Tiranë.

Lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të Shehit e ka dhënë shkrimtari Fatmir Toçi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Toçi njofton se historiani dhe studiuesi Zyhdi Shehi, ka ndërruar jetë këtë të diel në një spital në kryeqytet.

“Ka ndrruar jetë sot në një spital të Tiranës studiuesi dhe historiani Zydi Shehi, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë, i bërë i njohur kohët e fundit edhe për një ngjarje të rëndë në një azil të Tiranës, rrethanat dhe përfundimet e së cilës janë akoma të pazbardhura dhe të paqarta plotësisht…”, shkruan Toçi.

Më herët u bë me dije se 76-vjeçari vuante nga sëmundja e sklerozës. Kujtojmë se emri i tij u lakua gjatë nëpër mediat mëngjesin e 8 gushtit ku vrau me bastun shokun e tij të azilit, 82-vjeçarin Virxhil Veshon.

Historiani Shehi u konfliktua me Veshon për shkak të krevatit, pasi ai mendonte se 82-vjeçari ja kishte zënë. Pas kësaj, ai e ka goditur Veshon me bastun duke bërë që i moshuari të humbiste jetën në vendin e ngjarjes.

Dy të moshuarit, Zyhdi Shehi dhe Virxhil Vesho vuanin nga sëmundja e sklerozës dhe kjo ka ndikuar që veprimi i Shehit të ishte impulsiv, duke shkaktuar vdekjen e Veshos.

Zyhdi Shehi, i lindur më 11 dhjetor 1946, në fshatin Bago të Kavajës, ka qenë një historian dhe shkrimtar i njohur për botime historike e letrare. Vitin e kaluar ai u shpall edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, ku iu dorëzua titulli nga autoritetet lokale bashkiake.

Përmbledhja e aktivitetit të historianit dhe shkrimtarit Zyhdi Shehi:

Ai u diplomua në Institutin Pedagogjik të Shkodrës për “Gjuhë-Letërsi” e më pas mbaroi me korrespodencë Fakultetin Filologjik të Tiranës për “Gjuhë-Letërsi”.

Pas një periudhe pune si mësues, në vitin 1982 nisi punë në Muzeun Historik të Kavajës. Në vitin 1996, pas botimeve të artikujve të shumtë në fushën e historisë dhe etnografisë së zonës, doli me librin e parë, monografinë kushtuar patriotit kavajas, Ahmet Bejtaga.

Më pas, në vitin 2000, monografinë Andrea Ekonomi, “Mësues i Popullit”, “Kavaja, figura të shquara historike” 2005, “Indrit Cara”, 2007, “Inxhinjeri Jani (Xhuf) Koljaka, e Diplomati Stavro Stavri”, etj. Për merita në punë iu dekretua në vitin 1990 edhe medalja “Naim Frashëri”.

Postimi i Fatmir Toçit:

NDAHET NGA JETA
STUDIUESI KAVAJAS ZYDI SHEHI

Ka ndrruar jetë sot në një spital të Tiranës studiuesi dhe historiani Zydi Shehi, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë, i bërë i njohur kohët e fundit edhe për një ngjarje të rëndë në një azil të Tiranës, rrethanat dhe përfundimet e së cilës janë akoma të pazbardhura dhe të paqarta plotësisht…

Zydi Shehi ishte një figurë e mirënjohur në Kavajën e tij si familjar dhe qytetar i devotshëm, studiues i apasionuar pas historisë, veçanërisht për qytetin e tij, Kavajën dhe rrethinat e saj dhe autor i disa botimeve me vlerë dhe interes të veçantë në këtë fushë, duke sjelle fakte dhe interpretime të panjohura më parë. Për këto kontribute për qytetin e tij dhe shoqërinë e emancipuar kavajase ai ishte shpallur njëzëri nga Këshilli Bashkiak i qytetit “Qytetar Nderi i Kavajës”, titull i merituar për një personalitet të shquar e me kontribute konkrete si Zydi Shehi, i cili gjatë gjithë jetës së tij reflektoi mirësi, korrektesë e kulturë, shembullin e modelin e qytetarit bashkëkohor.

Ndarja nga jeta pas një sëmundje të gjatë e të mundimëshme, me probleme të dhimbëshme e situata të pamerituara për natyrën e tij fisnike ka pikëlluar jo vetëm familjen, të afërmit e miqtë e tyre, por dhe çdo kavajas e këdo që e ka njohur atë apo veprën e tij të çmuar.

Ngushëllime dhe u prehtë në paqe!


Shtuar 25.08.2024 18:42