Gjykata e Tiranës, ka lënë në burg 41-vjeçarin, i cili vrau me thikë kuzhinierin në Tiranë. Filip Shehu vrau kolegun e tij Indrit Ismaillarin.
Në deklarimet që ka bërë para togave të zeza të Gjykatës se Tiranës, 41-vjeçari ka pretenduar se shpesh herë është ofenduar dhe ngacmuar në punë nga kolegu i tij, gjë që nuk e bënte askush tjetër.
“Ai nuk ka pasur asnjë punë me mua sepse nuk ishte shefi im, që të më jepte urdhra”, tha para togave të zeza 41- vjeçari.
Ai ka thënë që nga ana e viktimës acarohej dhe sipas tij viktima mbante thikë dhe thoshte “nuk e çaj kokën fare për ty”.
E njëjta situatë sipas tij ka ndodhur edhe ditën e ngjarjes ku janë konfliktuar.
Ndërkohë 41-vjeçari e ka mësuar një ditë më parë që Indrit Ismaillari ka humbur jetën, pasi e dinte vetëm që ishte plagosur dhe ka shprehur ngushëllime familjarëve.
Avokati mbrojtës i tij Ilir Murati ka pretenduar se ngjarja ka ndodhur në kushtet e tronditjes së rëndë psiqike dhe klienti i tij kishte 13 vite që kurohej për çrregullim bipolar.
Ai ka paraqitur dhe një dokumentacion mbi kurimin e Filip Shehut që nga viti 2013. Avokati kërkoi shtrim të detyrueshëm në spital psikiatrik si masë sigurie dhe kryerjen e një ekspertize për shëndetin mendor. Mësohet se 41-vjeçari ishte i divorcuar dhe kishte një fëmijë.
