Vrau kolegun në lokal pasi pretendonte se e bullizonte, policia zbulon të shkuarën e autorit

Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë u regjistrua në Tiranë, pasi një vrasje me thikë ndodhi në zonën e Komunës së Parisit , ku u vra kuzhinieri, Indrit Ismaillari.

Policia e Tiranës, ka zbardhur dinamikën e krimit.

Autori i krimit është kolegu i tij picier, Flip Shehu 41-vjeç, që sipas policisë është person me precedent të mëparshëm penal.

Shehu u arrestua nga policia pas krimit, ndërsa policia thotë se ka sekuestruar edhe armën e krimit, një thikë.

Ngjarja

Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 15:30 të pasdites së djeshme në zonën e Komunës së Parisit.

Blutë informojnë se autori dhe viktima ishin të dy punonjës të lokalit dhe se krimi ka ndodhur brenda ambienteve të “City Lounge”

34-vjeçari Indrit Ismaillari humbi jetën në spital si pasojë e plagëve, ndërsa autori i dyshuar u arrestua nga policia pas krimit.

Raportohet se sherret mes picierit dhe kuzhinierit ishin të vazhdueshme, ndërsa 41-vjeçari pretendonte se viktima e bullizonte

Njoftimi i policisë sot (29 tetor):

Vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., në ambientet e lokalit në Komunën e Parisit, ku punonin të dy, arrestohet në flagrancë autori, i cili u kap nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas krimit.

I arrestuari, i dënuar më parë për posedim të armëve të ftohta.

Gjendet dhe sekuestrohet mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se u krye krimi.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi F. Sh. dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se shtetasi F. Sh. kreu vrasjen.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi F. Sh., i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 29.10.2025 09:19