Vrau Klodian Rashën, Prokuroria kërkon 20 vjet burg për ish-policin

Sot është dhënë pretenca për ish-policin Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau Klodian Rashën. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vjet burgim, por me gjykim të shkurtuar mbeten 13 vite e 4 muaj.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në dhjetor të 2020, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, ku efektivi i forcave Shqiponja, Nevaldo Hajdaraj i është vënë nga pas, duke qenë se 25-vjeçari po lëvizte gjatë orës policore të vendosur për shkak të pandemisë Covid-19.

Nevaldo Hajdaraj e qëlloi të riun me dy plumba, një në shpatull dhe një në kokë, duke e plagosur rëndë. Klodiani më pas ndërroi jetë në spital.

Sipas policit, Klodiani i drejtoi policisë një send të fortë, në dukje armë dhe në mungesë të ndriçimit të mjaftueshëm, dhe ai iu përgjigj duke e qëlluar. Nga ana tjetër, Prokuroria e ka cilësuar vrasje me dashje.

Ngjarja e ndodhur në Ditën e Rinisë shkakoi protesta të mëdha në vend, ku kërkohej drejtësi për vrasjen e të riut, i cili sipas familjes së tij kishte dalë për të blerë cigare. Si pasojë e protestave, u shkarkua nga detyra ministri i Brëndshëm, Sandër Lleshaj.

Sot, rruga ku është vrarë 25-vjeçari mban emrin Klodian Rasha dhe ndodhet pak metra larg shtëpisë së tij./albeu.com


Shtuar 3.06.2021 13:25