Vrau efektivin e “Shqiponjave” Novruz Cenalia, dënohet me burgim të përjetshëm Azgan Mërnica

Gjykata e Fierit, ka pranuar pretencën e Prokurorisë dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Azgan Mërnicën.

Ai është shpallur fajtor për kryerjen e veprave penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Azgan Mernica, ekzekutoi me plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, ku krimi dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy të rinjëve mesditën e 13 Majit të vitit të kaluar në fshatin Baltëz të Fierit.

Sipas organit të akuzës, shkaku i sherrit ka qenë futja e Azgan Mernicës me automjet me shpejtësi në kthesë dhe pa kontrolluar rrugën, duke rrezikuar jetën e banorëve të zonës.

“Nga hetimi dhe gjykimi , u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri Azgan Mërnica duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës Nevruz Cenalia duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme”, – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Sherri dyshohet se ka nisur për kalimin e një rruge të ngushtë në fshatin Baltëz, ku jetonte viktima, ndërsa autori i cili jetonte në fshatin pranë, Sulaj, kalonte shpesh.

Azgan Mërnica, e ka qëlluar me plumb në kokë efektivin, i cili ishte i veshur me uniformë, pasi ishte nisur për të marrë shërbimin.

Autori ndodhej me një automjet tip “Audi” bashkë me nënën e tij, Ajete Mërnica, teksa pas krimit është arratisur, ndërsa automjetin e kishte lënë tek shtëpia e dajës, rreth 4 km larg vendit të krimit.

Prej dy ditësh, Azgan Mërnica ishte në kërkim, teksa Policia kishte ofruar edhe 30 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion të vlefshëm për kapjen e tij. Ai u vetëdorëzua pas negociatave me Policinë, teksa fshihej në fshatin Dërmenas.


Shtuar 30.07.2025 15:57