Vrau dy persona në Shkodër dhe plagosi dy të tjerë, izolohet në paraburgimin 302 në Tiranë Ragip Gila

Ragip Gila, autori i dyshuar i atentatit në Shkodër, po mbahet i izoluar në paraburgimin 302 në Tiranë.

Për shkak se i druhen një hakmarrje të mundshme, autoritetet kanë vendosur që 29-vjeçari të qëndrojë i vetëm në qeli për arsye sigurie.

Dyshohet se Gila ka përdorur një armë automatike “Scorpion” dhe një pistoletë gjatë atentatit të ndodhur në ambientet e lokalit “Idromeno”, në zemër të qytetit të Shkodrës.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Qemal Stafa”, në një lokal të frekuentuar, ku Ragip Gila hyri dhe qëlloi drejt një grupi personash. Në vendngjarje mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja – ky i fundit truprojë i biznesmenit Erogen Brajoviç, i cili mbeti i plagosur rëndë. E plagosur mbeti edhe Meri Kaceri, kamarierja e lokalit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Gila ka deklaruar se objektivi i tij ishte vetëm Erogen Vaso (i njohur si Brajoviç), me të cilin dyshohet të ketë pasur konflikte të mëparshme. Megjithatë, hetimet po ndjekin edhe pistën e një vrasjeje me pagesë.

Gjatë arrestimit, policia i gjeti Gila-s armë zjarri, jelek antiplumb, maska dhe mjet për largim nga vendngjarja.


Shtuar 13.09.2025 20:19