Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin Hekuran Gjoni, i cili akuzohet se vrau djalin e tij Asim Gjoni.
Sipas organit të akuzës, në përfundim të hetimeve rezultoi se më datë 01.02.2025, shtetasi Hekuran Gjoni, për motive banale ka debatuar dhe është konfliktuar me djalin e tij Asim Gjoni dhe në konflikt e sipër e ka qëlluar me mjet prerës dhe si pasojë e plagës së marrë në ijën e majtë, ka gjetur vdekjen.
I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet shtetasi Hekuran Gjoni, shpjegoi se atë ditë kur është ulur për të ngrënë bukë djali u ul po ashtu dhe nisi ta ngacmonte me fjalë.
Ai është ndjerë keq dhe në një moment është acaruar dhe e ka qëlluar me shpullë në fytyrë.
Më pas sipas tij, djali A.Gj, e kapi nga rrobat, dhe i ka thënë mos i gjuaj. Në këtë moment, ka ndërhyrë vajza e cila i ka thënë pse sillesh me babain kështu, dhe djali i ka dhënë asaj një të shtyrë të fortë, duke e rrëzuar përtokë.
Në këtë moment ai është acaruar shumë, ka kapur thikën e bukës që ishte në tavolinë dhe e ka goditur djalin e tij një herë në bark (ije).
Nga hetimi rezultoi se në trupin e kufomës nga këqyrja e jashtme dhe e brendshme u konstatua një plagë prerëse shpuese depërtuese në anën e majtë të gjoksit, shoqëruar me çarje të mushkërisë së majtë, cipës mbështjellëse së zemrës në anën e majtë të majës së saj si dhe plagë prerëse në gishtat e të të dyja duarve. Shkaku i vdekjes së shtetasit Asim Gjoni është shoku i rëndë traumtaik hemoragjik.
Prokuroria thotë se personi nën hetim shtetasi Hekuran Gjoni, ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, të parashikuar nga neni 79/c të K.Penal, në dëm të djalit të tij të ndjerit Asim Gjoni.
