Gjykata e Kurbinit ka dënuar me 14 vite burg 60-vjeçaren Drane Deda, e cila goditi për vdekje me sqepar bashkëshortin e saj, Llesh Deda ngjarje e ndodhur dy vite më parë.
Pas shqyrtimit të çështjes, gruaja u shpall fajtore për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare” dhe u dënua me 21 vite burg, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe iu ul 1/3 e dënimit. Deda do të vuajë 14 vite në një burg të sigurisë së zakonshme.
Si ndodhi ngjarja?
Mëngjesin e 6 nëntorit të vitit 2020, 60-vjeçarja nënë e 10 fëmijëve goditi me sqepar në kokë bashkëshortin e saj Llesh Deda 61-vjeç. Ky i fundit mori plagë serioze dhe gjeti vdekjen pak ditë më vonë në spitalin e Traumës në Tiranë. Referuar dosjes hetimore thuhet se në momentin e ngjarjes, çifti i bashkëshorteve kanë qenë të vetëm në banese dhe para ngjarjes kanë debatuar me njëri tjetrin, pasi dyshohet se burri e kishte dhunuar gruan.
Menjëherë pasi ka kryer aktin e rëndë 60-vjeçarja është vetëdorëzuar në polici, duke shfaqur pendesë për krimin të cilin deklaroj se e kishte kryer në gjaknxehtësi e sipër. Çifti i bashkëshorteve me origjinë nga Mirdita kishin patur konflikte të vazhdueshme, pasi burri ishte përdorues alkooli.
Kujtojmë se Drane Deda pohoi para oficerëve se për shumë vite kishte pasur konflikte me bashkëshortin e saj, madje sipas rrëfimit të saj, ai e kishte detyruar të bënte 10 fëmijë.