Rëndohet akoma më shumë ngjarja në Klos.
Mësohet se autori i vrasjes së dyfishtë, Fiqiri Mjeshtri, pasi është larguar nga vendi i ngjarjes sipas policisë ka vrarë veten.
Po ashtu në polici janë shoqëruar Fatmir dhe Besnik Mjeshtri.
“Sot në orën 14:15 minuta në qytetin e Klosit u vranë Ilir Shita dhe Kenado Shira. Të plagosur Renato Hasula dhe Englatin Hasula. U bë e mundur kapja e tre personave. Fiqir Mjeshtri, Fatmir dhe Besnik Mjeshtri. Fiqiri Mjeshtri ka ndërruar jetë është vetëvrarë” tha Dhimitraq Ziu.
Njoftimi i policisë:
Klos/Informacion paraprak
Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).
Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.
Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
/albeu.com