Policia ka vendosur në pranga 31-vjeçarin Ilirjan Selmani, i cili akuzohet si autor i vrasjes së partneres së tij, 52-vjeçares Kozeta Teço, krim i ndodhur mëngjesin e së hënës (28 Korrik) në banesën e viktimës në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit.
Sipas informacioneve policore, Ilirjan Selmani vrau 52-vjeçaren, me mjet prerës thikë, në banesën e saj, dhe më pas i vuri zjarrin banesës, arrestohet 31-vjeçari.
Njoftimi:
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhen rrethanat dhe autorësia e ngjarjes së ndodhur dje, në Pogradec.
Vrau 52-vjeçaren, me mjet prerës thikë, në banesën e saj, dhe më pas i vuri zjarrin banesës, arrestohet 31-vjeçari.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes së ngjarjes së ndodhur më datë 28.07.2025, në lagjen nr. 1, Pogradec, e cila fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.
Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, kanë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës (thikë).
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë e Korçës, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit I. S., 31-vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej 3 vitesh.
Shtetasi I. S. dyshohet se ka vrarë me thikë, shtetasen K. T., 52-vjeçe, i ka vënë zjarrin banesës së saj dhe është larguar nga banesa, rreth orës 05:00.
Në përfundim të veprimeve është arrestuar në flagrancë shtetasi I. S., 31-vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.