Vrasja për qiranë e shtëpisë në Shkodër, flet gruaja ku u fsheh autori: Erdhi me armë e më tha mos ki frikë

Ka folur për mediet gruaja, që në shtëpinë e të cilës shkoi të fshihej Lekë Vuksani, personi që vrau me armë zjarri 51-vjeçarin Petrit Vuksani dy ditë më parë brenda banesës së tij.

Kujtojmë se autori u arrestua pasi 21 orësh në arrati.

Gruaja që mbajti në shtëpi vrasësin u shpreh se autori i tha të mos kishte frikë dhe se kishte shkuar atje vetëm për tu fshehur nga policia.

“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Leka më tha se nuk do të bëj asgjë ndaj mos u tremb, kam ardhur vetëm për të qëndruar këtu. Nuk e dija se çfarë të bëja sepse ishte errësirë. Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi bëri një sjellje normale”, deklaroi gruaja në banesën e të cilës qëndroi për disa orë autori i dyshuar i vrasjes.

Pas arrestimit autori ka deklaruar se njihej me viktimën pasi të dy janë nga Dukagjini dhe se i kishte marrë shtëpinë me qira prej disa kohësh.

Muajt e fundit viktima dhe autori janë konfliktuar disa herë për qiranë, pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike të cilat pronari, Petrit Vuksani që mbeti i vrarë, ka pretenduar se nuk janë paguar nga qiramarrësi Lekë Vuksani.

Ky i fundit ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe debatet, por pa e firmosur dëshminë e tij.

Çfarë deklaroi 34-vjeçari që ekzekutoi Petrit Vuksanin

“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi, por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes në bisedën e lirë me efektivët./albeu.com/


Shtuar 4.05.2023 13:58