Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një tjetër person në lidhje me vrasjen e ndodhur para katër ditësh në Prizren, në lokalin “Kobra City”.
Kjo është bërë e ditur me anë të raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.
“Rr. Tahir Sinani, Prizren 03.01.2023 – 04:00. Lidhur me rastin, është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në paraburgim”, thuhet në raport.
Kujtojmë se në lidhje me rastin në fjalë është arrestuar si i dyshuar kryesor pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxha.
31 vjeçari Visart Cengu ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin e Kukësit ndërsa Rufgen Shehu ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mediat në Kosovë raportuan se motiv i këtij konflikti dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurove që stafi i lokalit kishte lëshuar për dy të rinjtë.
Sipas informacioneve paraprake, sherri nisi pasi të rinjtë nuk pranuan të paguanin këtë shumë të të hollave.
Sakaq sipas informacioneve të reja dyshohet se në video të jetë ajo që është zhdukur nga lokali “Kobra City” në Prizren, natën kur ndodhi krimi, ku besohet se janë ruajtur materialet filmike të kamerave të sigurisë që mund të hedhin dritë mbi ngjarjen, nga motivi i nisjes së konfliktit, deri tek të shtënat që morën jetën e Cengut dhe plagosën mikun e tij Rufgen Shehu.
Të enjten 5 janar, Gjykata Themelore e Prizrenit la në burg për 30 ditë Dibran Hoxhajn dhe pesë personat e tjerë të arrestuar mbi ngjarjen e rëndë.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës janë të rezervuara mbi motivet e sakta të konfliktit, dhe në vendimin e masës së sigurisë së gjykatës nuk përmendet shkëndija e parë e përplasjes. Mediat e Kosovës raportuan për konfliktin e nisur për faturën 400 euro, por një gjë e tillë kundërshtohet me forcë nga familjarët e viktimës. Ata deklarojnë gjithashtu se presin drejtësi nga gjykata në Prizren, por nuk harrojnë të përmendin se nëse “Kobra” del nga burgu, me siguri do të ketë reagim.
Visart Cengu i cili kishte ardhur në vendlindje nga Franca, Rufgen Shehu dhe Arben Basha, të tre miq me njëri-tjetrin, shkuan në Prizren në “Kobra City” për të festuar Vitin e Ri, por dolën nga aty njëri i vdekur e tjetri i plagosur. Pasi u konfliktuan në lokal me stafin shkuan drejt makinës në parking për t’u nisur drejt Kukësit, por pronari Dibran Hoxhaj i ndoqi dhe qëlloi me armë zjarri tre herë drejt tyre./albeu.com/