Vrasja për 20 mijë euro? Ujka u vra sapo bleu 1 paketë, hilja e autorit për të mos lënë asnjë gëzhojë

Autori i cili qëlloi për vdekje mbi ish-deputetin Pashko Ujka e ka mbajtur pistoletën në një qese ndaj dhe nuk u gjetën gëzhoja në vendin e ngjarjes. Në dosjen e prokurorisë po ashtu hidhen dyshime se autori i dyshuar Kristian Kelmendi ka bërë lëvizje fiktive në kufi për të krijuar alibi.

Shkak për ngjarjen është bërë një shumë prej 20 mijë eurosh të dhënë për një apartament tek ish zyrtari i lartë. Ish-deputeti Pashko Ujka ka qenë duke blerë një paketë cigare në momentin kur është qëlluar me një plumb.

Pranë tij ka qenë bashkëshortja e cila në momentet e para të ngjarjes ka deklaruar se ka dëgjuar vetëm një zhurmë të mbytur e më pas ka vënë re se Ujka ka rënë në tokë.

Nga pamjet e siguruara prej bizneseve në zonën  pranë shatërvanit dhe lulishtes së Shkodrës ku edhe ndodhi ngjarja, vërehet se autori e ka mbështjellë armën me një qese. Kjo shpjegon se përse nuk është gjetur gëzhoja.

“Personi që ka qëlluar është trup i mbushur, që sipas policisë, ngjason me trupin e Marjan Kolës ose Aleksandër Kelmendit. Autori shfaqet me kapele të zezë me strehë në kokë, me kapuç pas qafe, në dukje doreza në duar. Duket që për një moment rregullon kapelen e kapuçin dhe mban kokën ulur, ndërsa ec me hapa të vegjël por të vendosur e të shpejtë. …në dorë, ka një qese të bardhë, e cila mbulon diçka brenda saj, dhe që dyshohet se mund të jetë arma, pasi në vendngjarje nuk është gjendur asnjë gëzhojë…”-thuhet në dosjen hetimore.

Shkak për ngjarjen duket se është bërë një apartament, për të cilin pretendohet se është paguar një shumë prej 20 mijë eurosh.

Madje para policisë Kristjan Kelemendi, personi i arrestuar për vrasjen, ka treguar në polici se familja e tij i ka paguar 20.000 euro Pashko Ujkës për marrjen prej tij të një banese në Shkodër. Por më pas ish-zyrtari, ja ka marrë sërish madje duke bërë edhe kallëzim ndaj tyre dhe policinë.

Edhe  djali i viktimës, Emanuel Ujka, ka treguar se babai i tij kishte konflikt të mprehtë me Aleksandër Kelmendin i cili ka shtuar se nuk është bërë shlyerja e faturës.

Sipas dosjes hetimore, Kristian Kelmendi ka disa lëvizje në kufi. Në datën 24 nëntor ai ka hyrë në Shqipëri  por në material nuk thuhet nga cili shtet ai ka ardhur. Çuditërisht edhe pse nuk ka largim nga vendi, ai regjistrohet të hyjë nga pika e morinës në datën 30 nëntor , por nuk ka të dhëna për daljen.

Familjarët e tij pretendojnë se Kelmendi ka qenë në një poligon qitje në Prishtinë në momentin kur është vrarë Pashko Ujka. Por policia dhe prokuroria pretendojnë se kjo alibi nuk qëndron duke e akuzuar për vrasje./oranews

 


Shtuar 5.12.2021 14:28