Ditën e djeshme, tjetër krim i rëndë familjar u regjistrua në vendin tonë ku viktima dhe autori janë shtetas të huaj. Banorët e një lagjes lajmëruan policinë, për një sherr të madh në një banesë të marrë me qira.
Policia kur shkoi në vendin e ngjarjes, konstatoi se gruaja ishte e pajetë pasi ishte goditur me mjet prerës nga bashkëshorti i saj.
Policia bëri me dije se turistja amerikane Sandra Saporito, 54-vjeçe, u vra me thikë nga bashkëjetuesi i saj, Brendon Saporito 57-vjeç.
Çifti amerikan kishte marrë një banesë me qira në lagjen historike të Shkodrës, Gjuhadol. Mëngjesin e të premtes, rreth orës 10:00, Brendon e qëlloi disa herë me thikë partneren në banesë duke i marrë jetën.
Dyshohet se autori i dyshuar i krimit në gjendje të dehur ka goditur 54-vjeçaren me thikë dhe më pas ka tentuar t’i japë fund jetës në kushtet e tronditjes psikologjike, duke prerë damarët.
Nga profili në Facebook i autorit, shihet se kanë hyrë në Rinas më 27 mars, ndërsa në foton e publikuar, Sandra Saporito shkruan se kanë mbërritur shëndoshë e mirë në Tiranë dhe ndodhen të ulur në ambientet e një bar kafeje.
Ata ishin nisur në drejtim të Shqipërisë nga aeroporti i Miamit, në datën 26 mars. Ndërkohë motivet e krimit mbeten të paqarta. Policia bën të ditur se grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes.
“Rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, shtetasja amerikane, S. S. Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse”, njofton policia.