Personi në foton e mësipërme është 34-vjeçari, Kristjan Kola i cili u ekzekutua me armë zjarri sonte në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të qendrës së qytetit, pranë kinema “Republika”.
Sipas informacioneve, autorët ishin dy, të cilët kanë qëlluar teksa ishin në lëvizje me motor. Identitetet e tyre ende nuk dihen, ndërsa bëhet me dije se janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia ka reaguar lidhur me ngjarjen dhe bën me dije se Kola u qëllua për vdekje teksa ishte në ambientet e jashtme të një lokali.
Shërbimet e policisë kanë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.