Vrasja në Fier/ “Vajza gënjeu, lekët i tërhiqnin ato se kishin prokurë,” fqinji: Gjithmonë i bërtisnin Anestit! I pyeta a e ushqenin se ishte dobësuar kohët e fundit

Detaje të reja janë zbuluar nga deklaratat e personave që njihnin 56-vjeçarin, Anesti Rama i cili u vra nga vajza dhe bashkëshortja e tij. Një fqinj ka deklaruar se viktima nuk dinte të shkruante dhe se paratë nga banka i tërhiqnin vajza dhe gruaja pasi kishin prokurë. Ai ka hedhur poshtë dëshmitë e vajzës e cila është shprehur se nuk i jepte para babai i saj.

Fqinji më tej ka zbardhur një bisedë që ka patur me të dyshuarat e krimit. Sipas tij ai i ka pyetur nëse e ushqenin 56-vjeçarin pasi ishte dobësuar kohët e fundit. Ai tha se nënë e bijë bënin çfarë të donin dhe se gjithmonë i bërtisnin viktimës.

“Faktikisht ai nuk dinte shkrim e këndim, ato e kishin bërë me prokurë që tërhiqnin lekët nga banka. Ajo që thotë vajza, që ka deklaruar se nuk i jepte lekë, janë gënjeshtra. Hani çfarë u donte qejfi vetë atyre. Unë si komshi ndonjëherë i pyesja e ushqeni apo nuk e ushqeni, se kohët e fundit ishte dobësuar shumë. I japim ushqim, thoshin, ndoshta mund t’i kishin dhe gënjeshtra. Por gjithmonë i bërtisnin,” tha ai.

26-vjeçarja, Emanilda Rama është arrestuar ditën e djeshme më 24 korrik pasi akuzohet se ka mbytur me tel babanë e saj, 56-vjeçarin, Anesti Rama. Ngjarja ishte kallëzuar nga vajza fillimisht në polici si aksidentale, ndërsa pas veprimeve hetimore u zbulua se autorja ishte vetë ajo. Kjo e fundit më pas ka pranuar krimin dhe është shprehur se e ka vrarë sepse i ati ishte fanatik dhe nuk e linte të vishej si donte ajo apo të dilte. E reja ishte ndarë nga partneri pak kohë më parë dhe jetonte me prindërit. Ndërkohë në polici është shoqëruar dhe Valbona Rama nëna e vajzës, pasi akuzohet se ka pastruar trupin e viktimës, me qëllim inskenimin e vrasjes si aksidentale.


Shtuar 25.07.2025 17:35