Në Shqipëri, drejtori i burgut të sigurisë së Lartë në Peqin, Kamber Hoxha si dhe 11 punonjës të tjerë janë ndaluar më urdhër të Prokurorisë, pas vrasjes së ndodhur një ditë më parë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit
Një njoftim i Prokurorisë së Elbasanit, 24 orë pas ngjarjes, pasqyron një situatë problematike në burgun e Peqinit, ku i dënuari Sokol Mjacaj, vrau të burgosurin përjetë Arben Lleshi, si dhe plagosi një tjetër. Sipas Prokurorisë, Mjacaj e ka patur armën në qelinë e tij, prej afro 20 ditësh, ndërkohë që është e paqartë se si, dhe kur, pistoleta e përdorur nga ai, ka hyrë në mjediset e brendshme.
Ndonëse një burg i sigurisë së lartë, siguria duket se është ajo që nuk ka funksionuar, përsa kohë, sipas Prokurorisë, Mjacaj dyshohet se e mbante me vete armën dhe në mjediset e përbashkëta.
Në njoftimin zyrtar thuhet se ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, në hyrje-daljet e Mjacajt nga qelia, dhe as kur ai është transferuar nga një godinë në një tjetër.
Verifikimet e para kanë zbuluar, se edhe kontrolli me skaner, ka qenë jashtë shërbimit për disa ditë, e po ashtu ka patur probleme dhe me një pjesë të kamerave të sigurisë.
Prokuroria bën të ditur se policia nuk është njoftuar për vrasjen.
Të gjithë punonjësit e burgut të cilët janë ndaluar, dyshohen deri tani për “shpërdorim detyre”, ndërsa vetë Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, dyshohet për tre vepra të tjera penale. Ai ka deklaruar se kishte konflikt personal me të dënuarin e vrarë, por ky variant nuk konsiderohet fort i besueshëm, dhe dyshimet kryesore janë për një vrasje të paramenduar dhe të porositur nga jashtë burgut.