Vrasja makabre e Ilaria Sulës/ Prindërit rrëfejnë dhimbjen: Shkoj tek ajo çdo ditë, nuk jetojmë më, vetëm mbijetojmë për djalin tonë, kërkojmë vetëm drejtësi

Në një intervistë për emisionin “Verissimo” në Itali, prindërit e Ilaria Sulës, Gezime dhe Flamur, kanë rrëfyer publikisht dramën e rëndë që po përjetojnë pas vrasjes tragjike të vajzës së tyre, e cila u vra me thikë nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson, i cili rrëfeu krimin pasi fshehu trupin e vajzës dhe u shtir sikur ishte larguar vullnetarisht, duke dërguar mesazhe nga telefoni i Ilarisë te miqtë e saj dhe madje edhe te prindërit e saj.

Ata treguan detaje tronditëse nga momentet e fundit kur kishin kontakt me vajzën e tyre dhe dyshimet se krimi ishte i planifikuar.

Të lidhura

None found

“25 marsi 2025 ishte dita e fundit kur kemi folur me Ilarian. Për ne, ajo është vrarë po atë ditë. Ai kishte parashikuar gjithçka”, u shprehën prindërit, duke kundërshtuar deklaratat e autorit në gjykatë se ngjarja nuk ishte e paramenduar.

Alarmi u dha pasi Ilaria nuk zbriti nga treni që duhej ta kthente në shtëpi nga Roma, ku studionte. Familjarët udhëtuan menjëherë drejt kryeqytetit italian dhe bënë denoncimin në polici.

Aty, sipas rrëfimit të Flamurit, ata u përballën me autorin e dyshuar.

“Shkuam në Romë dhe bëmë një denoncim. Takuam Markun në stacionin e policisë. Ai tha: ‘Më vjen keq që u takuam në këtë situatë’. Më tha se nuk e kishte parë Ilarian për një muaj sepse ishin ndarë. E pyeta nëse kishte të bënte me zhdukjen e saj dhe ai u betua për varrin e nënës së tij (e cila është ende gjallë), duke thënë: ‘Nuk do t’i dëmtoja asnjë fije floku Ilarias, e dua’”, rrëfen Flamur Sula.


Shtuar 6.04.2026 08:39