Vrasja e Visar Cengut në Prizren, policia bastis sërish “Kobrën”, çfarë u gjet nga kontrollet

Mëngjesin e sotëm, Drejtoria e Krimeve të Rënda bashkë me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren kanë vazhduar bastisjet për rastin “Kobra”.

Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

Ai tha se bastitja është kryer në tri lokacione dhe se përsëri është bastisur lokali “Kobra City”.

“Sot gjatë ditës Drejtoria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren kanë vazhduar bastisjet në tri lokacione, derisa është bastis edhe lokali “Kobra City”. Gjatë këtyre bastisjeve janë sekuestruar disa gjëra, që mund të përdoren si prova”, tha Bytyqi.

Lexo edhe: Arrestohet Dibran Hoxhaj, kush është i famshmi “Kobra” që vrau të riun nga Kukësi në Prizren

Ai tha se në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve janë gjetur disa fishekë dhe një granatë dore.

“Rasti është iniciuar si “Mbajtje apo posedim i paautorizuar i armëve”, tha ai.

Kujtojmë se mëngjesin e 3 janarit në dalje të Prizrenit mbeti i vrarë 31-vjeçari Visar Cengu nga Kukësi dhe u plagos një 27-vjeçar. Në ditën tragjike, Kryeprokurori Admir Shala tha se konflikti ka nisur në lokalin “Kobra City” lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

Aktualisht Kobra dhe pesë të dyshuarit tjerë gjenden në paraburgim./Albeu.com/


Shtuar 5.01.2023 18:14