Vrasja e të riut në Mat/ Shoqërohen 4 persona, ekspertiza paraprake: 23-vjeçari ka humbur jetën nga…

Këtë të enjte, Policia e Matit, ka shoqëruar 4 persona si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, që u gjet i pajetë në afërsi të liqenit të Shkopetit.

Të shoqëruarit janë persona që më herët kanë pasur konflikte me viktimën.

Ata kanë thënë se problemet që kishin me 23-vjeçarin, i kishin mbyllur dhe nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit. Pasi u morën në pyetje për disa orë, u liruan nga policia.

Ekspertiza paraprake, ka nxjerrë se 23-vjeçari Renis Dobra, ka humbur jetën nga mbytja me litar.

Policia i ka përqendruar hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më herët, ka qenë i përfshirë si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet, dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij.

Në vendin tonë, 23-vjeçari nuk ka precedentë të theksuar kriminal, por i dyshuar dhe hetuar për vjedhje banesash.


Shtuar 10.07.2025 11:23