Këtë të shtunë, dalin para gjykatës, dy të arrestuarit si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra mbrëmjen e 8 korrikut, Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka.
Për ngjarjen e rëndë, janë shpallur në kërkim dhe dy vëllezërit e Fatjon Bushgjokës, Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, që dyshohet se janë larguar nga Shqipëria.
Vrasja e 23-vjeçarit u zbardh më 16 Korrik, ku u vendosën në pranga 2 prej autorëve të dyshuar, të cilët dhanë dëshmi kontradiktore para hetuesve, por janë kamerat e sigurisë në bizneset e aksit Burrel-Tiranë që i kanë tradhtuar.
Nga kqyrja e pamjeve filmike, ka rezultuar se 55-vjeçari, si edhe tre vëllezërit, Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj (dy të fundit në kërkim policor) kanë pirë kafe së bashku pranë një pike karburanti pak orë para krimit.
Më pas, 4 autorët e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit, kanë udhëtuar me dy automjete, “Range Rover”-in e zi dhe një “Hundyai Santa Fe”, nga Burreli drejt fshatit Zenisht.